Lidhje

Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë do të krijohet në Hagë


Netherlands EU International Court

Netherlands EU International Court

Qeveria e Holandës njoftoi sot se Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë do të krijohet në Hagë. Gjykata do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999 2000, të ngritura ndaj pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Qeveria e Holandës thotë se selia e Gjykatës Speciale do të jetë në Hagë, pasi dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar në se proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Ministri i Jashtëm holandez Bert Koenders tha se "është e rëndësishme që drejtësia të vihet në vend". Akuzat për krime lufte nga anëtarë të UÇK-së, u ngritën në një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2010 nga senatori zviceran Dick Marty. I ashtuquajturi "Raporti Marty", përmban akuza ndaj ish anëtarëve të UÇK-së për rrëmbime, keqetrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm Hetimor për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme, vrasje pa gjyq dhe dhunë seksuale.

Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, roma e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për "trafikim orgnesh", zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit të kaluar, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

XS
SM
MD
LG