Lidhje

Gjykata e Apelit ndërpret masën e arrestit shtëpiak ndaj Albin Kurtit


Albin Kurti

Albin Kurti

Gjykata e Apelit në Kosovë ka bërë të ditur se ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak dhe i ka lënë të mbrohen në liri deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu.

Në një njoftim të Gjykatës së Apelit thuhet se “kolegji penal prej tre gjyqtarësh ka miratuar si të bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës të deputetëve opozitarë kundër dy aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerra më 28 dhjetor 2015 dhe me 6 janar 2015”.

“Të dy deputetët u dihet identiteti, vendbanimi, si dhe nuk ekzistojnë rrethana tjera të cilat tregojnë, se ekziston rreziku i ikjes, arratisjes, apo përsëritjes se veprës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Më 28 nëntor të vitit të kaluar, policia e Kosovës ndërhyri në selinë e lëvizjes Vetëvendosje ku arrestoi deputetin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti për shkak të veprimeve gjatë protestave të opozitës në parlamentin e Kosovës, kundër marrëveshjeve me Serbinë.

Njësitë e posaçme të policisë arrestuan zotin Kurti dhe 94 pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje.

Sipas prokurorisë, zoti Kurti dyshohet se ka kryer veprat penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kosova ka hyrë në muajin e pestë të përballjes më një krizë të thellë politike për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur ne bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Aktualisht, nuk duket ndonjë shenjë pajtimi për tejkalimin e situatës.

Partitë opozitare kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Mijëra veta morën pjesë në protestën e 9 janarit në përmbyllje të së cilës shpërthyen përleshje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë. Opozita kërkon që qeveria të veprojë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në pjesën e fundit të vitit që lamë pas, Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa konstatoi se asociacioni do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të ulet në tryezën e dialogut politik. Opozita kërkon largimin e qeverisë dhe anulimin e marrëveshjeve, reagimet ndaj të cilave bënë që gjatë katër muajve të fundit të vitit që lamë pas gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës të bllokojnë punën e parlamentit. Gjykuar nga zhvillimet aktuale, duket se fat i njëjtë e pret parlamentin edhe në sesionin e tij të ri, gjatë të cilit, ai duhet te vendosë për shumë çështje, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

Brukseli zyrtar paralajmëron rifillimin e bisedimeve nga fundi i janarit, ndonëse ende nuk janë dërguar ftesat zyrtare. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, pjesa e më e madhe e të cilave nuk janë zbatuar, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbisë hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG