Lidhje

Debati presidencial republikan


Republican presidential candidate businessman Donald Trump, left, and rival Sen. Ted Cruz, R-Texas, both speak during the Fox Business Network Republican presidential debate at the North Charleston Coliseum, Jan. 14, 2016, in North Charleston, S.C.

Republican presidential candidate businessman Donald Trump, left, and rival Sen. Ted Cruz, R-Texas, both speak during the Fox Business Network Republican presidential debate at the North Charleston Coliseum, Jan. 14, 2016, in North Charleston, S.C.

Miliarderi amerikan, manjati i pasurive të patundshme, Donald Trump dhe senatori i Teksasit, Ted Cruz kanë vepruar për disa muaj më shumë si partnerë sesa rivalë, ndërsa konkurrojnë për të siguruar postin e kandidatit të Partisë Republikane për president të SHBA.

Por në debatin presidencial republikan të enjten në Karolinën e Jugut, dy pretendentët, që kryesojnë në shumicën e sondazheve kombëtare ishin armiqësorë ndaj njëri-tjetrit.

Gjatë debatit televiziv që zgjati dy orë e gjysmë, Trump dhe Cruz u përleshën në mënyrë të përsëritur, duke u treguar disa herë emocionalë, ndërsa u përpoqën të fitonin mbështetjen e votuesve të mërzitur nga republikanët tradicionalë.

Cruz u përfshi edhe në një seri shkëmbimesh me senatorin nga Florida, Marco Rubio, i cili gëzon mbështetje nga një segment i gjerë i partisë dhe që po renditet në vendin e tretë në shumicën e sondazheve.

Katër kandidatët e tjerë në skenë - Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, Guvernatori i Ohajos, John Kasich, neurokirurgu në pension Ben Carson dhe ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush – u përpoqën të binin në sy.

Garë treshe?

"Tre fituesit e këtij debate ishin: Rubio, Trump dhe Cruz," thotë Ford O'Connell, ish-këshilltar për fushatën presidenciale të senatorit John McCain në vitin 2008.

Debati nuk ka bërë shumë për të ndryshuar perceptimin se fusha republikane është ngushtuar, i tha O'Connell Zërit të Amerikës.

"Me ritmin e tanishëm, duket se jemi drejtuar për një garë me tre kandidatë," tha O’Connell.

Ky është edhe vlerësimi i Tucker Eskew, një strateg politik veteran nga Karolina e Jugut dhe nddihmës i ish-presidentit George W. Bush.

"Pas këtij debati, mendoj se do të shohim forcim të mbështetjes për kandidatët e mëdhenj, dhe ndoshta një zbutje të mbështetjes për ata që nuk janë tre apo katër të parët", tha zoti Eskew për Zërin e Amerikës.

Përleshjet Trump-Cruz

Çfarë është më pak e qartë megjithatë, është se cili ishte fituesi i përplasjesTrump-Cruz

Zoti Cruz ka refuzuar të kritikojë Trumpin për muaj me radhë, i frikësuar se nëse e bënte këtë, mund të armiqësonte mbështetësit e biznesmenit që ai shpreson t’i tërheqë një ditë.

Armiqësia mes dy kandidatëve është shtuar kohët e fundit, pasi dyshimeve që hodhi zoti Trump nëse Cruz është i kualifikuar sipas kushtetutës për t'u bërë president, pasi ai ka lindur në Kanada nga një baba kuban dhe një nënë amerikane.

Ka disa prova që vërtetojnë se sulmi i Trumpit ka funksionuar: shumë nga sondazhet e fundit në Iowa, e cila mban zgjedhjet paraprake në më pak se tre javë, tregojnë se Cruz ka humbur mbështetjen pas disa javësh që po fitonte terren mbi manjatin e pasurive të patundshme.

Të enjten, ishte e qartë se Cruz nuk mund të duronte më gjatë. Duke hyrë në polemikë, ai e akuzoi Trumpin për oportunizëm politik duke ngritur dyshime për kualifikimin e tij për shkak të vendlindjes.

"A e dini se në shtator, miku im Donald më tha se avokatët e tij e kishin shqyrtuar mjaft mirë këtë rast, dhe nuk kishte gjetur asnjë problem. Nuk kishte asgjë për këtë çështje", tha Cruz.

"Tani, që nga shtatori, kushtetuta nuk ka ndryshuar. Por numrat e anketës kanë ndryshuar", shtoi senatori i Teksasit.

Në përgjigje, Trumpi pranoi se e kishte ngritur çështjen "sepse tani (Cruz) është duke ecur më mire në garë." Ai gjithashtu përsëriti vlerësimin e tij se ka një "pyetje serioze" nëse Cruz përmbush kërkesat kushtetuese të të qënit një "shtetas amerikan nga lindja."

"Vlerat e Nju Jorkut”

Në një tjetër shkëmbim veçanërisht të ndezur, Cruz përsëriti akuzat e fushatës së tij se Trump ka "vlerat e Nju Jorkut", diçka që ai shpreson se do ta bënte atë të dukej jashtë kontaktit me konservatorët tradicionalë.

“Jo shumë konservatorë kanë dalë nga Manhattani", tha Cruz.Trumpi goditi përsëri, duke mbrojtur njujorkezët që ai tha se u përgjigjën "shumë mirë" ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorin, 2001.

"Ne rindërtuam qendrën e Manhattanit, dhe e gjithë bota e pa Nju Jorkun dhe njujorkezët. Dhe më duhet të them, se ishte një deklaratë shumë fyese që bëri Ted", tha Trump, mes duartrokitjeve.

Kush fitoi?

"Ky ishte një moment i fuqishëm dhe që nuk funksionoi mirë për zotin Cruz," thotë analisti Eskew. Por në përgjithësi, shkëmbimet Trump-Cruz ishin një "përzierje", që nuk solli asnjë palë në krye.

"Ted Cruz sigurisht bëri një punë shumë më të mirë dhe mori një fitore shumë të nevojshme për çështjen e lindjes," thotë analisti O'Connell. "Megjithëse duhet të them se Trump goditi goxha mirë me akuzën për vlerat e Nju Jorkut."

Chip Felkel, një strateg politik në Karolinën e Jugut, i tha Zërit të Amerikës se periudha e shumëpritur për përleshjen mes dy kandidatëve kryesues "ia vlejti."

"Trump për mua sonte ishte pak më i rezervuar. Ai gjithashtu u fishkëllye dy herë, që mendoj se ishte interesante", thotë Felkel. "Më duhet të them se ndoshta Cruz doli më mirë nga Trumpi".

Debati u zhvillua në Karolinën e Jugut, në një rajon ku Trump mund të ketë vështirësi të fitojë mbështetje të mjaftueshme kur të fillojë votimi. Sjellja e Trumpit në debat mund të shërbejë si shembull i vështirësive në betejat e tij më të gjera në jug, thotë analisti Felkel.

"Trump ka shumë gjëra. Por më shumë se cdo gjë tjetër për disa ai është argëtues”, thotë Felkel duke shtuar se Cruz gëzon popullaritet mes evangjelistëve dhe konsevatorëve të tjerë.

Përplasja Cruz-Rubio

Cruz punoi gjithashtu për të sprapsur një seri sulmesh nga Rubio që e akuzon kolegun e tij nga Teksasi se ka ndryshuar qëndrimin për disa cështje të rëndësishme përfshi imigracionin.

"Thoje se mbështesje dyfishimin e numrin të kartave jeshileve, tani thua se je kundër. Ti mbështesje një rritje prej 500 për qind të numrit të punonjësve të përkohshëm imigrantë dhe tani je kundër," tha Rubio.

"Dikur mbështesje legalizimin e njerëzve që ishin këtu ilegalisht, tani je kundër. Ti thoshe se ishte në favor të qytetarisë përmes lindjes, tani je kundër," shtoi ai.

Cruz goditi mbrapsht: "E vlerësoj që po hedh këtu kërkimet që ke bërë për të gjetur të meta," tha ai.

"Këto janë të dhënat e tua!", iu përgjigj Rubio.

Kritikat ndaj Obamës, Clintonit

Kandidatët goditën njeriun që shpresojnë të zëvendësojnë: Presidentin Barack Obama.

Një nga kritikat më të ashpra ishte nga guvernatori Christie, që premoti se “do ta flakte jashtë Shtëpisë së Bardhë" dhe që në një pikë iu referua presidentit si një “fëmijë zemërak."

Një fokus tjetër i debatit ishte kandidatja demokrate Hillary Clinton.

Jeb Bush solli në vëmendje skandalin lidhur me përdorimin e emeilave personale gjatë kohës që ajo shërbente si sekretare shteti, duke thënë se kjo mund ta dëmtonte nëse bëhet presidente.

"Nëse ajo zgjidhet, 100 ditët e para do t’i kalojë jo duke hartuar plane por duke shkuar nga Shtëpia e Bardhë në gjykata," tha Jeb Bush duke u duartrokitur.

Bush, që shihej si favorit në garën republikane ka humbur mbështetje dhe tani e gjen veten në fund të anketave.

Kur të fillojnë votimet, ai dhe kandidatët e tjerë me mbështetje të ulët mund të dalin shpejt nga gara, sipas analistëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG