Lidhje

Ekspertët e Komisionit të Venecias mbyllin takimet


Në Shqipëri në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias mbyllën sot takimet dhe bisedimet lidhur me projektin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese.

Gjatë paradites ata u takuan për herë të dytë me grupin e ekspertëve të nivelit të lartë, ndërsa gjatë ditës së djeshme kishin biseduar dhe me ekspertët e opozitës, ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani apo dhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë.

Genti Ibrahimi një prej ekspertëve nuk dha shumë detaje duke shpjeguar se bisedimet kanë qenë teknike, por ai pohoi se cështjet më të komplikuara duket se do të jenë ato që kanë dhe një dimension politik, sic është përplasja për emërimet nga parlamenti të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë nëse duhet të jenë me 3/5 apo 2/3.

Ekspertët e Komisionit të Venecias patën një drekë pune dhe me kryetarin e parlamentit Ilir Meta, ndërsa pasdite u takuan me kryetarin e komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj. Në mbrëmje ata pritet të japin disa vlerësime në një konferencë të posacme shtypi.

Ekspertët kanë në dorë një projekt të rishikuar të ndryshimeve kushtetuese si dhe dy opinione të tjera të vecantë, një të dërguar nga ekspertët e Partisë demokratike dhe një tjetër nga Lëvizja socialiste për Integrim.

XS
SM
MD
LG