Lidhje

Përvjetori i revoltës në Malësinë e Madhe


Duke nderuar sot me Dekoratën e Artë të Flamurit Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe, të janarit të vitit 1945, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani mbajti një qendrim të ashpër ndaj asaj që ai e quajti “tentativë me kurajo të paimagjinueshme për rishfaqjen e simboleve të egra të diktaturës”. Presidenti Nishani theksoi në fjalën e tij nevojën e dënimit të krimeve të komunizmit dhe ish sigurimit të shtetit.

"Me plot të drejtë sot nuk e pranojmë që në dyert e drejtësisë shqiptare dosjet dhe çështje të ndryshme qendrojnë një, dy apo tre vite pa u hetuar apo gjykuar si një mohim që i bëhet qytetarëve. Por dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa hetuar dhe pa gjykuar. Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit."

Presidenti Nishani tha se hetimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit, nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e retorikës, revanshit apo hakmarrjes, pasi janë të lidhura me sigurinë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik.

Presidenti Nishani tha se kishte konstatuar me shumë keqardhje që, në proceset e reformave të ndryshme në vend, siç është edhe reforma në sistemin e drejtësisë, po tentohet të bëhen edhe provokime të papranushme.

"E quaj të papranushme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë të reformës në drejtësi për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që e ndalon një herë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit. Nga kjo trevë dhe tokë martirësh u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë ta refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë."

Presidenti Nishani mbajti qendrim të ashpër edhe për ligjin e pronave, miratuar ditët e fundit nga Parlamenti, të cilin e quajti si “ligji i rikonfiskimit të pronave të shqiptarëve”. Me këtë ligj, u shpreh Presidenti, ata i kanë bërë një provokim të rëndë vuajtjeve, sakrificave, por edhe memories historike kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

"Para pak vitësh, të gjithë ne dhe shumë si ne nuk do ta besonim që në 2016 mund të vinte përsëri një ligj i parlamentit shqiptar që do të kërkonte rikonfiskimin e pronave të shqiptarëve. Rikonfiskimi i pronave nuk mund të ndodh, sepse të drejtën e lirisë shqiptarët e kanë fituar me safrifica, me gjakun, me qendresën, me burrërinë e qindra e qindra martirëve të tyre."

Presidenti tha se besonte shumë tek ndjesia e fortë që martirët lanë trashegimi përmes veprës, gjakut, besës, mendimit dhe filozofisë së tyre. Prandaj, shtoi ai, ne kurrë nuk mund të harrojmë, ne kurrë nuk mund të qendrojmë, ne kurrë nuk mund të pushojmë së kërkuari berjen e drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG