Lidhje

Shkollat Montessori


Princi George, i treti në radhë për fronin britanik, bëri një hap të madh në fushën e arsimit në fillim të janarit, duke hyrë në çerdhen Montessori në Norfolk, 180 kilometra në veri të Londrës. Ai u bashkohet mijëra fëmijëve në shkollat Montessori në të gjithë botën. Filozofia e programit Montessori e vë fëmijën në qendër të të mësuarit, duke hequr dorë nga kurrikulat strukturore dhe duke inkurajuar aktivitete të pavarura.

Vogëlushi më i famshëm i botës, ka filluar të shkojë në çerdhe.Në fakt Princi George, shkon në shkollën Westacre Montessori të Norfolkut, pranë shtëpisë së tij. Shkolla ka thënë se ai do të trajtohet njësoj si fëmijët e tjerë.

Këto lloj shkollash ndjekin filozofinë e Maria Montessorit, një mjeke dhe edukatore, e para grua që u diplomua për mjekësi në Itali, dhe që një shekull më parë krijoi metodën revolucionare të të mësuarit me të njëjtin emër.

"Lere të lirë potencialin e fëmijës dhe ai do të hyjë vetë në botë” thoshte Montessori.

Metoda e saj që ndryshon nga mendimi tradicional duke e vënë fëmijën në qendër të procesit edukativ, mbetet më popullorja në arsimin e fëmijëve që nga Norfolku e deri në Romë.

Është një metodë që ka hedhur rrënjë në mbarë botën, me më shumë se 20 mijë shkolla që nga India në Shtetet e Bashkuara, nga Japonia në Britaninë e Madhe, sipas organizatës Opera Nazionale Montessori.

Themeluesit e kompanisë Google Larry Page dhe Sergei Brin si dhe krijuesi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos kanë qënë të gjithë nxënës në shkollat Montessori.

E gjithë kjo filloi në Romë, ku në fillim të shekullit të 20 Montessori themeloi shkollat e para.

Sot shkolla "Nerina Noe" në Romë mban emrin e nxënëses së parë të Montessorit.

Në një ndërtesë elegante të rrethuar nga natyra, fëmijët mes moshës 3 dhe 6 vjeç kalojnë mëngjesin në "Casa dei bambini", një dhomë plot dritë, mbushur me aktivitete që synojnë të stimulojnë procesin e mësimit të shprehjes, gjuhës dhe matematikës.

Këtu ata janë të lirë të lëvizin dhe të shkojnë nga një aktivitet në tjetrin: disa kujdesen për lulet, të tjerë vizatojnë, të tjerë mësojnë idetë bazë të matematikës dhe shkrimit, më përpara se moshatarët në shkollat tradicionale.

Mësueset janë të matura dhe i lënë fëmijët të mësojnë duke bërë gabime.

"Një klasë në Montessori është ndryshe nga çdo lloj klase në shkollat tradicionale. Të gjitha aktivitetet janë të gatshme për fëmijët në çdo kohë", shpjegon Rosi Passaretta, që jep mësim këtu prej tetë vjetësh.

Filozofia Montessori bazohet tek besimi se një fëmijë duhet të ketë kontroll të plotë mbi aktivitetet që e stimulojnë më mirë zhvillimin e tyre, nën mbikëqyrjen e një mësueseje, e cila propozon por nuk dikton.

Edhe fëmijët më të vegjël nga 14 muaj deri në dy vjeç e gjysmë, mund të shprehin krijimtarinë e tyre me një furçë apo plastelinë.

Zhvillimi i aftësive ndjesore përmes zbulimit të dallimit mes materialeve apo ngjyrave të ndryshme, formave apo tingujve, është me shumë rëndësi.

Giacometta Zucconi, e cila punon këtu prej 50 vjetësh, në fillim si mësuese dhe tani si drejtoreshë, shpjegon se kjo metodë është edhe më e rëndësishme sot, kur fëmijët rritet të rrethuar nga teknologjia.

Këtu fëmijët mund të kultivojnë aftësinë për të zhvilluar aktivitete duke përdorur trupin e tyre, për të zhvilluar kuptimin përmes ndjesisë, thotë ajo.

Ajo gjen kohë të shkojë nëpër klasa për të parë fëmijët, për t’i ndihmuar ata të navigojnë nga një aktivitet në tjetrin, në një shkollë ku anglishtja mësohet që në moshë të vogël.

Vajza katër vjeçare e Silvia Brunozzit, Benedetta shkon në këtë shkollë.

"Kjo metodë i ndihmon fëmijët në rrugët e tyre individuale duke i menaxhuar nga larg për të përmbushur të njëjtat objektiva në fund të vitit, me një mënyrë që mund të duket e pamundur por që faktikisht është racionale".

"Në metodën Montessori, fëmija ka rolin qëndror. Pra është një këndvështrim krejt ndryshe. Fëmija është në qendër, ashtu siç duhet të jetë," thotë psikologia Loredana Petrone.

Dhe megjithëse kjo metodë lindi dhe u zhvillua këtu, në Itali ka më pak shkolla Montessori se në vende të tjera.

Vende si Gjermania, Irlanda dhe Britania po përdorin gjithnjë e më tepër metodën e pedadoges më të famshme të Italisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG