Lidhje

Takim botëror mbi masat kundër virusit Zika


Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbajë një takim urgjent të hënën për virusin Zika, pasi drejtori i agjencisë tha se virusi i bartur nga mushkonjat po përhapet me një ritëm alarmant.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se nga virusi mund të preken miliona njerëz në kontinentin Amerikan, ku zyrtarët kanë filluar të përdorin teknika konvencionale dhe jo-konvencionale për ngadalësimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit Zika, që thuhet se shkakton difekte tek foshnjet e porsalindura.

Në Honduras, kamionët spërkatës e godasin virusin tek burimi i tij:

"Mushkonja është përhapësi i virusit, prandaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhen luftuar mushkonjat, duke pastruar depozitat e ujit, oborret, gomat e makinave, e të tjera. Kjo kërkon përpjekjet e njerëzve dhe ka rrezik që ata të mos i zbatojnë rregullat e nevojshme sanitare për mjedisin.”- thotë drejtori i kolgjit mjekësor Elmer Mayes.

Hondurasi po ashtu ka filluar një fushatë edukative që i drejtohet grave shtatzëna. Mjekët si Adelina Hernandez, thonë se virusi ka shkaktuar deformime tek të foshnjet, që lindin me kokë dhe tru më të vogël:

"Këtu kemi disa gra shtatzëna. Kemi frikë se foshnjet e tyre mund të lindin me defekte nga kjo sëmundje e re. Kushtet ku ne jetojmë na bëjnë që shqetësohemi, por jemi të varfër dhe nuk kemi ç’bëjmë.”

Në El Salvador zyrtarët po përdorin peshqit për të ngrënë larvat e mushkonjave që mund të bartin virusin e Zikës:

"Në se njerëzit marrin kontrollin ata mund ta parandalojnë sëmundjen. Por gjithshka kërkon përpjekje sepse një projekt i përmasave të tilla duhet kryer me dashuri, pa e lënë atë në mes. Ne mund të ndihmojmë shumë, sepse deri tani kemi ndihmuar një numrë të madh bashkish-, pra ka qenë një projekt i suksesshëm,”- thotë ky zyrtari i shëndetësisë Marielos Sosa.

Nuk është e qartë në se masat e El Salvadorit për të luftuar virusin Zika do të zbatohen edhe në vende të tjera.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i paralajmëron gratë shtatzëna të mos udhëtojnë në zona ku Zika ka përmasat e epidemisë, si në Brazil, ku janë dokumentuar mijëra raste të dyshuara të virusit.

Ende nuk ka një vaksinë për Zikën.

XS
SM
MD
LG