Lidhje

Debati i republikanëve pa kanidatin kryesor për president


Në politikën amerikane, kurrë nuk ka patur ndonjëherë një skenë si ajo mbrëmë në Des Moines, të Iowas, ku kandidati kryesor republikan për president nuk mori pjesë në debatin e partisë së tij, por mbajti një tubim të vetin. Miliarderi Donald Trump pati një zënkë me Fox News-in, organizatorin e debatit zyrtar, vetëm katër ditë para se të numërohen votat e para.

Mbrëmë u përballën shtatë kandidatë republikanë për president, por mungonte njëri nga më të rëndësishmit.

"Para se të debatojmë, le të flasim për elefantin që sonte nuk është në dhomë,” tha moderatorja Megyn Kelly.

Ishte pikërisht kjo moderatore që kishte provokuar kandidatitin kryesues të garës, Donald Trump. Biznesmeni, i cili gëzon mbështetjen e rreth një të tretës së republikanëve në Iowa, e bojkotoi debatin, por organizoi një tubim të vetin.

"Kur të trajtojnë keq duhet t’i dalësh zot vetes,” tha zoti Trump.

Mungesa e Donald Trumpit, i dha debatit një tjetër ritëm. Kandidatët Marco Rubio dhe Jeb Bush debatuan për çështjen nëse emigrantët e paligjshëm mund të qëndrojnë në Amerikë, temë që ka ngjallur shumë polemika.

Ndërkaq, një kandidat tjetër kryesor, senatori Ted Cruz, akuzoi kandidatin Rubio se dikur ka qenë për legalizimin e emigrantëve në një farë forme. Rubio u përgjigj:

"Kjo është një gënjeshtër mbi të cilën ndërtohet fushata e Ted Cruzit. Gjatë kësaj fushate, Ted, ju keni qenë gati të thoni apo të bëri gjithçka për vota.”

Më pas, ishte kandidati tjetër, neurokirurgu Ben Carson që shtroi çështjen nëse duhen pranuar imigrantë nga ata që ikin prej zonave të kontrolluara nga ISIS-i.

"Nëse janë dhjetë njerëz që ju vijnë në shtëpi dhe njëri është terrorist, ju me siguri nuk do të lejonit asnjërin prej tyre,” tha kandidati.

Kandidatët republikanë folën me fjalët më të ashpra për luftën kundër ISIS-it, por mënyrat që propozuan ishin të ndryshme.

"Ne duhet të fokusohemi dhe të heqim rregullat e angazhimit në mënyrë që të mos i dërgojmë ushtarët tanë me duar të lidhura në betejë.”

Jeb Bush,kandidat republikan:

"Duhet të armatosim kurdët, të kemi trupat tona pranë ushtrisë së Irakut dhe të bashkëpunojmë me udhëheqësit fisnorë suni."

"Mos vallë duhet t’i bombardojmë të dyja palët? Në qoftë se mposhtim presidentin Bashar al-Assad, atëherë do të mbetemi përballë një ISIS-i më të fuqishëm,” tha kandidatti republikan Rand Paul.

Marco Rubio, kandidat republikan:

"Nuk mund ta shkatërrosh ISIS-in me një ushtri që po tkurret”.

Mungesa e kandidatit Trump u vu re mjaft.

"Ai nuk mori pjesë. Prandaj edhe ishte një debat për çështje thelbësore. Ne e vlerësojmë këtë,” tha një përfaqësues i kandidatit Cruz.

Se cili ishte përfundimi i debatit të mbrëmshëm, kjo do të mësohet kur votuesit në Iowa të hedhin votën, ditën e hënë.

XS
SM
MD
LG