Lidhje

Greqi, pezull rruga me kufirin shqiptar


Qeveria greke nuk i ka dhënë dritën jeshile fillimit të projektimit të rrugës që lidh pikën më të madhe në kufrin shqiptaro - grek, atë të të Kakavijës, me qytetin e Janinës.

Segmenti rrugor prej 46 km nuk është përfshirë nga ministria greke e Infrastrukturës në rrjetin e Rrugëve Trans-Europiane.

Sipas mjeteve greke të informimit, deputeti i Janinës në Parlamentin grek Kostas Tasulas ka reaguar ndaj ministrisë së Infrastrukturës dhe Zhvillimit duke kërkuar që segmenti të përfshihet në investimet, si pjesë e Strategjisë për Zhvillim të Qëndrushëm 2014-2020.

Me reagimin e deputetit grek janë bashkuar edhe njësitë vendore greke, fqinje me zonat kufitare të Shqipërisë, që e shohin përmirësimin e këtij segmenti rrugor si një ndihmë sidomos në dobi të lëvizjes turistike.

Të dy rajonet kufitare shqiptare kanë pasuri të rralla natyrore dhe kulturore që tërheqin interesin e turistëve të huaj, por kanë ende pak infrastrukturë në drejtim të këtyre zonave.

Ndërkohë segmenti Kakavijë - Janinë është pjesë e nismës së disa vendeve për “autostradën e kaltër”. Kjo autostradë shihet nga vende si Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria si një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor për nxitjen e turizmit.

Autostrada planifikohet të fillojë në Trieste (Itali) dhe të kalojë së pari përmes Sllovenisë për në Rijekë. Në afërsi të Dubrovnikut autostrada adriatiko-joniane do të kalojë përmes Bosnjë-Hercegovinës në Trebinje për në Mal të Zi.

Atje ajo do të vazhdojë përmes Podgoricës në pjesën veriore te Shkodrës për në Shqipëri, më tej për në Durrës dhe do të vijojë në drejtim të Greqisë. Në Greqi kjo autostradë do të kalojë nga Kakavija në Janininë dhe Patra duke përfunduar në Kallamatë.

XS
SM
MD
LG