Lidhje

SHBA synon të shtojë fondet për NATO-n


President Obama

President Obama

Administrata e Presidentit Obama kërkoi katërfishimin e shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë për t’u dhënë sigurime aleatëve, të shqetësuar rreth agresionit rus.

Shtëpia e Bardhë tha se kërkesa buxhetore e Presidentit Obama për Departamentin e Mbrojtjes për vitin financiar 2017 do të përfshijë 3,4 miliardë dollarë për Nismën e Sigurisë Evropiane (ERI), nga 800 milion që është vitin e tanishëm buxhetor. Administrata tha se fjala është për një “shtim të ndjeshëm të përpjekjeve për garantimin e paqes dhe sigurisë në Evropë."

Që nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainën Lindore dhe në Krime dy vjet më parë, SHBA dhe aleatët e tyre evropianë i kanë imponuar Moskës një seri sanksionesh ekonomike. Por presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka tërhequr mbështetjen e tij për separatistët në Ukrainë.

Administrata tha se fondet shtesë do të lejojnë SHBA të shtojnë "praninë e forcave" të saj në Evropë, që do të përfshinte një pjesëmarrje më të gjerë amerikane në aktivitete trajnuese me aleatët e NATO-s. Fondet do të lejonin gjithashtu furnizimin me më shumë mjete dhe pajisje luftarake të aleatëve të NATO-s, si Bullgaria, Estonia, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania.

Zoti Obama tha se përpjekjet e deritanishme në këto aspekte kanë qenë të pamjaftueshme dhe financimet e reja do ta bëjnë të qartë se SHBA “do të qëndrojë e patundur përkrah aleatëve jo vetëm në mbrojtjen e territorit të vendeve të NATO-s, por edhe të parimeve të përbashkëta të ligjit dhe rendit ndërkombëtar."

XS
SM
MD
LG