Lidhje

Rumani, votë për t'i hequr imunitetin Opreas


Senati rumun votoi sot për t’i hequr imunitetin ish zëvendës kryeministrit Gabriel Oprea duke i hapur rrugën një hetimi kriminal lidhur me akuzat se ai ka porositur makina të paautorizuara për vete dhe për zyrtarë të tjerë. Rumania shihet si një nga vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian dhe sistemi i saj i drejtësisë është nën vëzhgim të posaçëm nga BE-ja, megjithëse prokurorët e saj kanë marrë vlerësime nga ekzekutivi i BE-së për shtimin e përpjekjeve kundër rryshfeteve dhe abuzimeve të pushtetit.

Prokurorët anti-korrupsion e akuzuan muajin e kaluar ish zëvendës kryeministrin Oprea, i cili ka qenë edhe ministër i brendshëm, se ka porositur makina të paautorizuara për vete dhe për kryeprokurorin Tiberiu Nitu.

"Unë mendoj se nuk e kam abuzuar pushtetin si ministër, se nuk kam përfituar përtej privilegjeve të pakta të funksionit. Kështu që e konsideroj veten të pafajshëm”, tha zoti Oprea para se deputetët të votonin.

Senati, dhoma e lartë e parlamentit rumun, votoi 102-30 për heqjen e imunitetit të Gabriel Opreas. Ai dhe kryeprokurori Nitu i mohojnë akuzat.

Tiberiu Nitu dha dorëheqjen të martën ndërsa Oprea në nëntor përkrah kryeministrit Victor Ponta pas një zjarri vdekjeprurës në një klub nate që solli protesta masive. Ponta përballet tani me akuza për fallcifikime dhe pastrim parash.

Çështja e zotit Oprea doli në pah në tetor pasi një nga oficerët e tij të policisë vdiq kur motoçikleta e tij u përplas në një gropë në qendër të Bukureshtit.

Sipas ligjit rumun, vetëm presidenti, kryeministri dhe dy kryetarët e parlamentit mund të kenë makina shoqërimi, ndërsa ministrat mund t’i përdorin ato vetëm për raste emergjente.

Prokurorët e anti-korrupsionit kanë ndërmarrë disa hetime ndaj zyrtarëve të lartë gjatë viteve të fundit në përpjekje për të goditur korrupsionin e gjerë që ka irrituar njerëzit në Rumani.

XS
SM
MD
LG