Lidhje

Një ekspozitë që magjeps vizitorët


Jessica Liou takes a picture of fellow museum visitor Megan Limson at the WONDER exhibit, Renwick Gallery, Washington. (J. Taboh/VOA)

Jessica Liou takes a picture of fellow museum visitor Megan Limson at the WONDER exhibit, Renwick Gallery, Washington. (J. Taboh/VOA)

Një ekspozitë e re në muzeun më të vjetër të artit në Amerikë ka tërhequr një numër rekord vizitorësh. Ata vijnë për të parë nëntë vepra gjigande arti që kanë marrë famë falë një fushate marketingu shumë intensive. Muzeu nuk ka parë ndonjëherë një interesim të tillë.

Një thurje me ngjyrat e ylberit dhe një vargmal masiv. Këto janë dy nga veprat gjigande të ekspozuara në Galerinë Renwick në Uashington.

Ato po tërheqin numra rekord vizitorësh falë medias sociale. Kuratori Nicholas Bel thotë se nuk ka parë asnjë herë një fenomen të tillë.

“Edhe në ëndrrat më fantastike, kur po e përgatisnim këtë ekspozitë, nuk e parashikuam që do të kishim një reagim të tillë siç kemi parë në dy muajt e fundit”.

Pas renovimeve, drejtuesit e muzeut ftuan nëntë artistë kontemporanë për të zgjedhur një sallë në galeri dhe për të krijuar instalime të frymëzuara nga hapësira e zgjedhur.

Ajo që rezultoi ishte një ekspozitë që e meriton titullin “Magjepsja”.

“Në galerinë e parë, Tara Donovan ka krijuar një vargmal të tërë me qindar mijëra karta indeksi. Gabriel Dawe ka instaluar një ylber nga dyshemeja deri në tavan me një fill pambuku shumëngjyrësh me gjatësi 100 km,” thotë kuratori.

Patrick Dougherty ka krijuar një fshat me degë shelgjesh. Por ekspozita nuk mbaron me kaq.

“Shihet një skulpturë dritash nga Leo Villareal që ndriçon dhe ndryshon gjithë kohën. Janet Echelman ka krijuar një instalim me rrjeta që shtrihet thuajse 30 metra, i cili simbolizon cunamin që goditi Japoninë,” shpjegon kuratori.

Jennifer Angus ka krijuar forma me ngjyra të ndezura në muret e galerisë, duke përdorur 5000 insekte nga Azia juglindore. Edhe muret janë ngjyrosur me një bojë të nxjerrë nga insektet e zonës. Chakaia Booker ka krijuar një labirint me goma makinash të hedhura.

Maya Lin ka krijuar rrjedhën e lumejve që derdhen në Gjirin Çesapik me rruaza plastike që shtrihen mbi dyshemenë e galerisë, e deri në muret rrethues.

Artisti John Grade nga Siatell gjeti në shtetin Uashington një pemë me të njëjtën moshë si ndërtesa e muzeut, bëri një derdhje të saj e pastaj e rikrijoi formën e pemës me 1 milionë e gjysmë copa qiparisi të gdhendura me dorë.

“Kur e sheh këtu në ekspozitë të emocionon imazhi, por kur mëson për copat e drurit e kupton frymëzimin e artistit dhe punën që ka bërë,” thotë një vizitor.

“Shumë miq tanë kishin shkuar për ta parë ekspozitën sapo u hap. Kur pashë këto punime të bukura në Instagram, me ylberin dhe insektet, mendova meqë prindërit kishin ardhur këtu për vizitë, do të ishte interesante të vinim për ta parë,” thotë Josh Smith, vizitor.

“Nuk kam parë gjë të tillë më pare,” shprehet vizitori Kian Khanjani.

Ai dhe Dominique Hetu u prezantuan me ekspozitën përmes Instagramit.

“Më pëlqejnë shumë dritat, llampadari i varur. Më pëlqejnë të gjitha ekspozitat, pasi përdorin material që nuk i pret të jenë në vepra arti,” thotë Domenique.

Kuratori Nicholas Bell thotë se pikërisht këtë donte të arrinte ekspozita:

“Një nga dilemat kryesore kur punon në muze është si të gjesh mënyra për të angazhuar vizitorët. U gëzova shumë kur pashë komentet që bënin vizitorët kur thonin se kjo ekspozitë është me interes për të gjithë nga mosha 9-90 vjeç”.

Vizitorë të të gjitha moshave jo vetëm duan ta vizitojnë ekspozitën Magjepsja, por edhe t’i ndajnë përshtypjet me botën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG