Lidhje

Afrikano-amerikanët dhe zgjedhjet presidenciale


Ndërsa afrikano-amerikanët kanë prirje të votojnë për kandidatët presidencialë të Partisë Demokrate, niveli i pjesëmarrjes në zgjedhjet e këtij viti do të jetë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nëse do të ketë një garë të ngushtë. Ndërsa nxitja dhe aktivizimi i votuesve afrikano-amerikanë mund të jetë një shqetësim për Partinë Demokrate, udhëheqësit e komuniteteve me ngjyrë thonë se ky është një lajm i mirë pasi ata duan t’i mbajnë përgjegjës kandidatët e të dyja partive, partisë republikane dhe asaj demokrate, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

Rastet e filmuara të përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga policia kundër afrikano-amerikanëve të paarmatosur gjatë dy viteve të fundit kanë krijuar lëvizje të re aktivistësh të cilët përdorin teknologjinë për t’i dhënë shtytje përpjekjeve për barazi racore, ekonomike dhe sociale.

Carl Lipscombe, i një organizate që mbështet komunitetin afrikano-amerikan të emigrantëve, thotë se kandidatët duhet të bëjnë më shumë se sa thjesht dhënia e premtimeve në qoftë se ata duan një pjesëmarrje masive të këtij komuniteti në zgjedhjet presidenciale.

"Nuk është e mjaftueshme të thuhet se ne duam arsim falas për të gjithë. Ne duam të dimë se si do të ndikonte kjo tek komunitetet e njerëzve me ngjyrë. Ne duam që zyrtarët e zgjedhur të flasin për mënyrën se si ata do të trajtojnë krizën e papunësisë te afrikano-amerikanët".

Zyra Amerikane e Statistikave, thotë se shkalla e papunësisë prej 9.4 përqind tek afrikano-amerikanët është gati dyfish më e lartë se norma e përgjithshme në mbarë vendin. Është një problem që shtrihet edhe tek emigrantët afrikanë.

Bakary Tandia, aktiviste politike në Komitetin Afrikan të Shërbimeve, thotë se përparimi është i nevojshëm në të gjitha nivelet e qeverisë, duke përfshirë edhe qytetin e Nju Jorkut, që drejtohet nga kryebashkiaku Bill de Blasio.

"Ai është një kryetar bashkie me pikëpamje progresive, por në administratën e tij unë nuk kam parë emigrant afrikan në pozita të rëndësishme. E njëjta gjë ndodh edhe në nivelin shtetëror dhe atë federal".

Koordinatorët e aktivistëve thonë se lëvizja Black Lives Matter dhe retorika e anti-emigracionit nga disa kandidatë presidencialë kanë prodhuar një brez të ri udhëheqësish të të drejtave civile.

"Ajo nuk është si levizjet e kaluara. Nuk është një lëvizje e përbërë nga organizata të vogla, por ato mund të mobilizojnë njerëzit, kanë një zë të qartë, dhe janë duke sjellë ndryshime në të gjithë vendin".

Por kandidatja demokrate Hillary Clinton ka një lajm të mirë. Një sondazh i fundit i organizatës Gallup tregon se zonja Clinton aktualisht ka një vlerësim pozitiv nga 80 përqind e afrikano-amerikanëve të anketuar, vlerësimi më i lartë pozitiv mes gjithë kandidatëve. Tani, çështja është nëse ata do të shkojnë të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG