Lidhje

Blushi: Ja shkeljet e statutit të PS-së


Deputeti socialist e dorëzoi sot grupit parlamentar një dokument me pikat ku janë shkelur rregullat që organizojnë partinë që nga zgjedhja e kryetarit te ato të forumeve dhe mbledhja e tyre, te papajtueshëria e mandateve dhe llogaridhënia

Në Shqipëri deputeti socialist Ben Blushi i dorëzoi sot grupit parlamentar të partisë së tij një dokument ku siç deklaroi ai vetë, vërtetohet se “statuti i PS është shkelur në të paktën 30 përqind të neneve, që ligji për partitë pol në Shqipëri është shkelur në thelbin e vet, se fryma e kushtetutës është shkelur në rastin kur PS nuk bën zgjedhje dhe demokracia e saj e berdnshme është e cënuar në shumë nene, kur kryetari i saj për 7 vite ka një mandat jashtë statutor, illegjitim dhe kur forumet e kësaj partie nuk mblidhen prej tre vitesh”.

Në dokumentin prej dhjetë faqesh zoti Blushi, i referohet neneve të statutit të PS-së të cilat sipas tij janë shkelur e që kanë të bëjnë me “parimin e mbledhjes së forumeve që nuk mblidhen prej 3 vitesh; me parimin e zgjedhje, nuk ka prej 5 vitesh; është parimi papajtueshmërisë së mandateve, dhe gjysma e anëtarëve të kryesisë janë dhe ministra apo sekretarë, pra janë mandate të papajtueshme; parimi i llogaridhënies, apo dhe ai i financimit të partisë”.

Deputeti Blushi prej disa kohësh ka ngritur zërin për mënyrën se si po drejtohet Partia socialiste nga kryeministri Edi Rama. Ai tha sot se “Ky debat brenda PS nuk është një debat i brendshëm që i takon vetëm kësaj partie, është debat themelor. A mund të jetë Shqipëria një vend me demokraci të përparuar kur partitë politike nuk janë demokratike? A mund të ketë drejtësi, ekonomi të zhvilluar, institucione të besueshme, një parlament të dekriminalizuar nëse partitë politike nuk janë të hapura, nuk bëjnë zgjedhje, cënojnë të drejtat e anëtarëve të tyre, kthehen në biznes privat dhe fusin në parti njerëz me të shkuar kriminale, për shkak të nevojës për financime të dyshimta?”. Zoti Blushi shtoi se “më vjen keq që e gjithë partia përpiqet të justifikojë vullnetin e një njeriu. Kjo nuk është partia e një njeriu. Nuk mundet që ky precedent që nuk respekton zgjedhjet dhe forumet, të ripërsëritet”.

Kryeministri Rama por dhe figura të tjera socialiste, ministra apo deputetë, kanë justifikuar mungesën e zgjedhjeve për kryetarin e partisë që prej vjeshtës së 2013-ës me motivin se është përshtatur modeli i laburistëve britanikë, i cili sipas tyre parashikon rikonfirmim të drejtuesit të partisë në rast të fitores së zgjedhjeve. Por statuti aktual i socialistëve nuk e parashikon në asnjë rresht të tij një opsion të tillë. Deputetja socialiste Blerina Gjylameti, pas mbledhjes së grupit socialist u shpreh se kjo cështje do të trajtohet nga kongresi i cili pritet të mblidhet në muajin mars “edhe pse shumica dërrmuese mendojnë se duhet të trajtojnë dhe operojnë me modelin e Partisë Laburiste ku kryetari i partisë njëkohësisht dhe kryeministër i mandatuar i cili ka një kontratë me qytetarët, të mos vihet në baraspeshë vetëm nga statuti i parties”. Sipas zonjës Gjylameti, partia socialiste duhet të ketë prioritete të tjera, se sa ai për zgjedhjen e kryetarit, duke u rreshtuar në këtë mënyrë kundër zotit Blushi. “Meqë kemi dhe kolegë që kanë shqetësimin përsa i përket prioriteteve që duhet të kemi dhe që sipas atyre këto prioritete duhet të jenë vetëm zgjedhjet në Partinë Socialiste dhe më pak mirëqeverisja apo jeta parlamentare, ndaj ne presim vendimin e Kongresit për mënyrën si do të trajtohen zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Socialiste”, deklaroi deputetja Gjylameti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG