Lidhje

SHBA: Beteja për Gjykatën e Lartë


Vdekja e anëtarit konservator të Gjykatës së Lartë, Antonin Scalia, ka tronditur skenën politike dhe ligjore në Uashington.

Një përplasje ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit të kontrolluar prej republikanëve është pothuajse e sigurtë për të përcaktuar kahun ideologjik të gjykatës në këtë vit zgjedhjesh presidenciale.

I emëruar prej Presidentit Ronald Reagan në vitin 1986, Gjykatësi Antonin Scalia shkroi disa prej opinioneve me ndikimin më të madh konservator të Gjykatës së Lartë.

“Për pothuajse 30 vjet, Gjykatësi Scalia pati ndikimin më të madh në panel. Ai do të mbahet mend si një ndër gjykatësit dhe mendimtarët më me ndikim në Gjykatën e Lartë.”

Sapo u ofruan ngushëllimet, vëmendja u zhvendos menjëherë tek plotësimi i vendit të ri bosh.

“Synoj të përmbush përgjegjësinë time kushtetuese duke emëruar një pasardhës," tha Presidenti Obama.

“Nuk do të bëjmë asnjë hap derisa të përfundojnë zgjedhjet. Mendoj se kjo është gjëja e duhur,” u shpreh Marco Rubio, kandidat republikan për president.

Republikanët në Senat thonë se nuk do të përzgjidhet asnjë emër për Gjykatën e Lartë derisa të bëhet betimi i presidentit të ri vitin e ardhshëm.

“Gjatë 80 viteve të fundit, Senati nuk ka miratuar ndonjëherë një kandidaturë të propozuar në vitin e fundit të mandatit të presidentit,” thotë kandidati republikan për president, Ted Cruz.

Aleatët e Presidentit Obama në Senat nuk janë dakord.

Kandidat demokrat për president, Bernie Sanders, u shpreh:

“Kushtetuta është shumë e qartë. Është detyra e Presidentit të propozojë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Senati i konfirmon. Mendoj se Presidenti Obama duhet të propozojë emërimin e ri sa më shpejt.”

Anëtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë me mandat të përjetshëm dhe një zëvendësues për Gjykatësin Scalia mund të zhvendosë pozicionimin ideologjik të Gjykatës për një sërë çështjesh polarizuese, që nga aborti, deri tek kontrolli mbi armët, apo pushteti i korporatave të mëdha.

XS
SM
MD
LG