Lidhje

Tiranë: Përkujtohet 25 vjetori i grevës së urisë të studentëve


Mëngjesin e 18 shkurtit 1991 një grup prej 723 djem e vajza nisën në Qytetin Studenti një grevë urie për të hequr emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.

Një grup pjesëmarrësish të Lëvizjes Studentore Antikomuniste të vitit 1990-1991, u mblodhën në Qytetin Studenti për të nderuar sakrificat e 723 djemve dhe vajzave, që morën pjesë 25 vjet më parë në një grevë urie për të hequr emrin e diktatorit komunist Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.

Ata kujtuan sot me respekt vendosmërinë e grevistëve të urisë të atyre ditëve për ta ndarë universitetin dhe jetën e tyre nga emri i Enver Hoxhës, një prej diktatorëve më të egër në vendet komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e grevës së urisë theksojnë se ajo ishte e vetmja lëvizje politike, që goditi mitin e Enver Hoxhës, figurës më të madhe politike, pa ndihma nga partitë e vjetra e të reja.

Arjan Manahasa ishte njëri nga drejtuesit e asaj greve urie. Ai thekson se lëvizja politike jopartiake e studentëve mbetet e vetmja, që arriti qartë qëllimin e saj për dekomunistizimin e Shqipërisë së shkatërruar nga diktatura 45 vjeçare.

Një tjetër organizator dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së studentëve kundër emrit të diktatorit Hoxha 25 vjet më parë ishte edhe Ilir Dizdari.

Ai thotë se studentët sakrifikuan për të ndërtuar në Shqipëri një demokraci perëndimore, por kjo nuk ndodhi, dhe pas rrëzimit të mitit të madh enverist, u ngritën mite dhe idhuj më të vegjël, që çuan dëm gjithçka.

Mëngjesin e 18 shkurtit 1991 një grup prej 723 djem e vajza nisën në Qytetin Studenti një grevë urie për të hequr emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.

Protagonistët pohojnë se ata dhe mijëra banorë dhe punëtorë që i rrethuan me përkujdesje, nuk e kishin menduar asnjëherë se 25 vjet pas rrëzimit të monumentit të diktatorit në qendër të kryeqytetit shoqëria dhe administrata shqiptare ende nuk do të ishin dekomunistizuar, se krimet e komunizmit ende nuk do të ishin zbardhur dhe se madje qindra antikomunistë të zhdukur në tortura ende nuk do të ishin gjetur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG