Lidhje

Merkel, Holande takim me Kryeministrin grek


Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës u takuan të premten me kryeministrin grek Aleksis Tsipras, ndësa rriten shqetësimet për faktin që Greqia nuk po arrin të kontrollojë mijëra emigrantë që hyjnë çdo javë në Bashkimin Evropian përmes kufijve të saj.

Zoti Tsipras, kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës François Hollande, u takuan në periferitë e samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Gjashtë orë bisedime një natë më parë nxorën në pah ndarjet ende të thella mes vendeve të bllokut për mënyrën se si të frenohet kriza e refugjatëve, më e rënda që ka njohur kontinenti deri më sot.

Zyrtarët thanë se në bisedimet e djeshme udhëheqësit debatuan ashpër mbi reagimet e vendeve të ndryshme ndaj fluksit të të ardhurve, dhe mbi dështimin e mundshëm të sistemit të udhëtimit pa viza në Evropë.

Komisioni ekzekutiv i BE-së i ka dhënë Greqisë tre muaj afat për të rivendosur kontrollin në kufirin e saj, por pak vëzhgues besojnë se Athina do të jetë në gjendje ta respektuar afatin.

XS
SM
MD
LG