Lidhje

Integrimi i refugjatëve në Britani


Britain EU
Britain EU

Krahasuar me shumë shtete evropiane, Britania ka rënë dakort të pranojë një numër të vogël refugjatësh sirianë. Vetëm mbi 1 mijë kanë mbërritur deri më tani dhe një pjesë e tyre po akomodohen në zona të largëta të vendit. Britania ka mbetur prapa vendeve fqinje në përgjigjen ndaj krizës së emigrantëve.

Duhet rreth një orë të kalohet deti nga Glasgow drejt ishullit Bute të Skocisë, cepi më verilindor i Britanisë.

Për rreth 40 refugjatë në muajin dhjetor, ky ishte segmenti i fundit i udhëtimit të tyre nga Siria drejt Britanisë.

Ata u seleksionuan për t’u bërë pjesë e skemës së akomodimit të Britanisë për refugjatët. Skocia ofroi të vendosë pjesën më të madhe të tyre në komunitete të vogla rurale dhe urbane.

“Mendoj se komuniteti është shumë i ndjeshëm ndaj faktit që sirianët po vijnë nga një eksperiencë shumë traumatike.”

Megjithatë ka shqetësime nëse ata do të munden të rehabilitohen në këtë ishull.

“Ishulli Bute ka përgjithësisht banorë të bardhë dhe përbërja e tij fetare është pothuajse e gjitha e krishterë.”

Pavarësisht këtyre diferencave, është e mundur të integrohen të porsaardhurit, thotë James Hampshire i Universitetit Sussex, ish-këshilltar i qeverisë britanike për emigracionin.

“Historia tregon se me kalimin e kohës, këto diferenca janë zvogëluar. Një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë gjë është integrimi ekonomik i emigrantëve duke u mundësuar punësim dhe integrim social.”

Universiteti Sussex, i ndodhur në Brighton, ka ofruar 50 bursa për refugjatë sirianë, dhe vetë qyteti ka mirëpritur rishtazi disa familje refugjatësh sirianë.

Britania ka premtuar të mirëpresë 20 mijë sirianë deri në vitin 2020, shumë më pak se vendet e tjera evropiane. Qeveria thotë se Britania është nga vendet më të mëdha donatore për krizën humanitare.

“Qeveria e tanishme është angazhuar të reduktojë emigracionin. Gjithashtu, debati për emigracionin në Britani është bërë shumë i nxehtë, në veçanti krahas edhe debatit për anëtarësimin e Britanisë në BE. Megjithëse çështja e refugjatëve është veçmas, ata kanë mbetur peng i kësaj.”

Muajin e kaluar, katër të rinj azilkërkues nga Siria që jetonin në kampin e portit francez Calais, fituan një betejë ligjore për t’iu bashkuar familjeve të tyre që jetojnë në Britani. Qindra raste të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim.

Por, qeveria britanike ka thënë se do të luftojë ligjërisht secilin rast. Për shumicën e emigrantëve që shpresojnë të arrijnë në brigjet britanike, ëndërra do të mbetet ende larg.

XS
SM
MD
LG