Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për armëpushim në Siri


Rusia sot dënoi shpërthimet vdekjeprurëse në Siri, duke thënë se ato kanë për qëllim të pengojnë përpjekjet e paqes. Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se sulmet terroriste, për të cilat përgjegjësinë e ka marrë grupi Shteti Islamik, duhet të marrin reagimin e duhur nga bashkësia ndërkombëtare. Shpërthime të shumta në Damask dje vranë të paktën 83 vetë, ndërsa nga sulmet me bomba në Homs u vranë 59 njerëz të tjerë.

Ndërkohë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të bindur palët në konflikt që të pranojnë një propozim të ri për armëpushim.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha dje pas një bisede telefonike me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, se është arritur një "marrëveshje e përkohshme" me Rusinë për një armëpushim në Siri.

"Ne jemi vërtetë duke bërë përparim. Ndihmat humanitare tani po depërtojnë dhe modalitetet për dhënien fund të armiqësive janë duke u kompletuar. Në fakt, ne sot jemi më afër një armëpushimi dhe unë nuk e cilësojë këtë si një punë të mbaruar. Ndërprerja e armiqësive është e mundur gjatë orëve të ardhshme".

Presidenti sirian Bashar al-Assad thotë se qeveria e tij është gati për një armëpushim, por jo në qoftë se "terroristët" e përdorin atë për të forcuar pozicionet e tyre. Ai vazhdimisht i ka quajtur luftëtarët e opozitës terroristë, që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit 2011.

Por, pavarësisht bisedimeve për ndalimin e luftimeve, dhuna ka vazhduar dje me sulme masive me bomba në Damask dhe Homs, për cilat përgjegjësin e ka marrë grupi Shteti Islamik. Nga sulmet në Damask humbën jetën të paktën 83 persona, ndërsa në Homs u vranë 59 njerëz të tjerë nga sulmet me bomba.

Sekretari Kerry tha se aleati i Bashar al-Assadit, Rusia do të bisedojë me qeverinë siriane dhe Iranin, ndërsa Shtetet e Baashkuara do të konsultohen me grupet e opozitës në përpjekje për të zbatuar armëpushimin.

Rusia ka kryer sulme ajrore në mbështetje të qeverisë së Damaskut. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera thonë se sulmet ruse kanë vënë në shënjestër forcat rebele siriane, në vend të terroristëve të Shtetit Islamik. Sulmet ajrore gjithashtu janë fajësuar për rritjen e numrit të viktimave në mesin e civilëve, duke bërë që shumë civilë të largohen nga shtëpitë e tyre në drejtim të Turqisë.

XS
SM
MD
LG