Lidhje

Kriza e refugjatëve dhe tensionet Greqi-Austri


Greqia ka tërhequr ambasadorin e saj në Austri, pas një mosmarrëveshje në lidhje me krizën e emigrantëve. Kjo ndodhi pasi Vjena organizoi një takim me shtetet e Ballkanit pa ftuar Greqinë. Në takim, u ra dakord për kufizime të reja në lidhje me kalimin e emigrantëve përmes Ballkan, që agjencitë e ndihmave thonë se janë duke shkaktuar kaos në terren.

Disa mijëra refugjatë janë bllokuar në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, pasi filloi zbatimi i kufizimeve të dielën.

Maqedonia, Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Austria po u mohojnë hyrjen të gjithë refugjatëve përveç sirianëve dhe irakianëve. Kufizimet kanë shkaktuar kaos, thotë Gemma Gillie e organizatës Mjekët pa Kufij, e cila foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it nga një kamp refugjatësh në Idomeni.

"Bazuar në faktin se afganët përfaqësojnë rreth 30 përqind të të ardhurve në Greqi, brenda pesë ditësh të gjitha qendra e pritjes në territorin grek do të mbushen me emigrantë".

Organizata Mjekët pa Kufijë ka mjekuar qindra njerëz të cilët pretendojnë se janë plagosur në përleshjet me policinë maqedonase - duke përfshirë kafshime nga qentë.

Emigrantët kanë refuzuar të kthehen me autobusë në Athinë.

"Në Siri është një luftë pesë vjeçare ndërsa në Afganistan ka patur luftë për më shumë se tre dekada. ISIS ekziston në Siri por edhe në Afganistan. Atëherë cili është dallimi mes afganëve dhe sirianëve?"

Kryeministri grek paralajmëroi se ai nuk do të lejojë që vendi i tij të shndërrohet në një "depo shpirtërash".

Shumica e vendeve të BE-së vitin e kaluar votuan në favor të shpërndarjes së 120,000 refugjatëve në të gjithë bllokun. Por disa shtete të Evropës Lindore kanë refuzuar të pranojnë kuotat.

Gjermania pret të akomodojë 3.6 milion refugjatë deri në vitin 2020, sipas vlerësimeve të brendshme të qeverisë të raportuara në mediat lokale.

Në një takim mbi çështjen e emigrimit dje në Bruksel, Ministri i Brendshëm gjerman tha se fluksi i emigrantëve duhet të ndalet.

"Qëllimi ynë i përbashkët është përforcimi i kufijve të jashtëm, atij mes Greqisë dhe Turqisë në një masë që do ta pakësonte në mënyrë të konsiderueshme numrin e refugjatëve".

Amnesty International ka paralajmëruar se kufizimet e vendosura nga disa vende evropiane janë shkelje e konventave evropiane dhe ndërkombëtare.

"Shumica e vendeve, ndoshta me përjashtim të Gjermanisë, kanë vendosur thjesht se mbrojtja e kufijve të tyre është më e rëndësishme se mbrojtja e të drejtave të refugjatëve".

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk paralajmëroi se dështimi i përpjekjeve për zgjidhjen e krizës së emigrantëve mund të rrisë shanset që në referendumin që do të mbahet në qershor, Britania të votojë në favor të daljes nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG