Lidhje

Projekt-opinioni përfundimtar i Venecias

  • Armand Mero

Reforma në Drejtësi, Komisioni: Varianti i rishikuar i ndryshimeve kushtetuese në përputhje me standartet. Projekt-opinioni përgjigje dhe diskutimeve për shumicën me dy të tretat apo tre të pestat, në zgjedhjet nga ana e parlamentit

Komisioni i Venecias ka paraqitur projekt-opinionin e tij përfundimtar mbi ndryshimet kushtetuese të rishikuara në bazë të sugjerimeve të mëparshme prej tij. Komisioni thotë se varianti i rishikuar është përmirësuar krahasuar me dokumentin e parë, jo vetëm në detaje por edhe sa i përket parimeve të rëndësishme, duke shtuar se “ka marrë parasysh pjesën dërrmuese të rekomandimeve” të bëra prej tij në opinionin e saj të ndërmjetëm, ndërsa saktëson se “propozimet e tanishme janë përgjithësisht të arsyeshme. Mbeten megjithatë disa probleme teknike të cilat nuk duken të pazgjidhshme”

Një ndër pikat e cila kishte shkaktuar më shumë debat ishte ajo që lidhet me shumicën e nevojshme, për zgjedhjen nga ana e parlamentit, të anëtarëve të disa institucioneve të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, (që zëvendëson Këshillin aktual të Lartë të Drejtësisë i cili shkrihet) apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë (një organi i ri që do të ketë kompetenca të gjera në veprimtarinë e Prokurorisë). Opozita ka këmbëngulur për zgjedhjen e tyre me dy të tretat, e jo me tre të pestat sic eshtë propozuar në variantin e Ekspertëve të Nivelit të lartë. Komisioni i Venecias thotë se të dy variantet janë legjitime. Ai thekson megjithatë si më të pranueshëm variantin me tre të pestat, po ku të garantohet përfshirja dhe e opozitës, duke dhënë edhe disa alternativa për arritjen e këtij qëllimi. Edhe në rastin e Gjykatës Kushtetuese, Venecia sugjeron zgjedhjen me një shumicë të cilësuar nga ana e parlamentit të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni shprehet se “në rast se palët, gjatë procesit politik, nuk bien dakort për shumicën e cilësuar për zgjedhjen e anëtareve të institucioneve të Drejtësisë, ato mund të zgjedhin një sistem proporcional që i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive, ose cfarëdo modeli tjetër I cili do të siguronte një influencë të caktuar opozitës në procesin e zgjedhjeve”.

Komisioni nuk e sheh me vend ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili përfundon në mesin e vitit 2017, “përsa kohë – nënvizon Venecia - ai do të duhet t’i nënshtrohet procesit të verifikimit dhe kontrollit”. Opinioni i Komisionit e quan “të pranueshëm mekanizmin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, siç është parashikuar, përmes propozimeve me disa kandidatura të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, me tre të pestat e parlamentit”, ndërkohë që sugjeron si variant alternativ përfshirjen e një dispozita kalimtare, sipas së cilës, zgjedhja e tyre, për herë të parë, të mund të bëhet me dy të tretat.

Komisioni i Venecias vlerëson ndryshimet e paraqitura lidhur me Prokurorinë speciale e cila do të duhet të përqëndrohet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të zyrtarëve të niveleve të larta. Prokuroria speciale është parashikuar të funksionojë si një organ i pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme, megjithatë Venecia kërkon që të qartësohet mënyra e zgjedhjes së drejtuesit të kësaj prokurorie dhe ndaj kujt ai përgjigjet për veprimtarinë e tij.

Përsa i përket masave të parashikuara për procesin e kontrollit dhe verifikimit të figurës, të cilit do të duhet t’i nënshtrohen gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni e konsideron “jo vetëm të justifikuar por edhe të nevojshëm” në situatën në të cilin ndodhet gjyqësori shqiptar. Komisioni vlerëson dhe parashikimet të cilat sigurojnë që gjyqtarët dhe prokurorët të mund të ankohen ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi i cili do të kalojë në sitë, përfaqësuesit e të gjitha shkallëve të gjyqësorit, si nga pikëpamja profesionale ashtu dhe ajo e integritetit, përmes vlerësimeve dhe të pasurive të tyre. Ky Komision, do të ketë asistencën direkte të vëzhguesve ndërkombëtarë të propozuar nga Bashkimi europian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët parashikohet të kenë kompetenca mjaft të gjera në të gjithë procesin. Venecia sugjeron që kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar të qartësohen e që ata të mos kenë fuqi vendimmarrëse.

Komisioni vlerëson pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, dhe punën e bërë nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të cilët punuan në mbështetje të Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Sipas Venecias, dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar. Teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane” nënvizon Komisioni i Venecias i cili “shpreson se projekt ndryshimet kushtetuese do të përmbyllen pa vonesa të mëtejshme dhe do t’i nënshtrohet votimit në parlament”.

Komisioni i Venecias, tërheq vëmendjen në faktin se reforma nuk duhet të ndalet në nivelin e ndryshimeve kushtetuese dhe se kërkohet një paketë e gjerë ligjesh për zbatimin e tyre në mënyrë që të rregullojë veprimtarinë e organeve gjyqësore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG