Lidhje

Shtohen gomonet e trafiqeve në bregdet


Roja bregdetare shqiptare zbuloi një gomone të braktisur me fuqi motorike tepër të lartë në brigjet e Vlorës. Sipas burimeve zyrtare gomonia rreth 8 metër e gjatë dyshohet se do të transportonte drogë drejt Italisë.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes tha se zbulimi i mjetit të lundrimit u bë gjatë patrullimit të anijeve shqiptare ushtarake në zonën afër ishullit të Sazanit. Pak ditë më parë një tjetër mjet i fuqishëm lundrimi ishte zbuluar nga policia me dyshimet për trafikim marijuane.

Sasi të mëdha lëndësh narkotike janë bllokuar kohët e fundit në brigjet italine të dyshuara se janë transportuar nga Shqipëria përmes hapësirës detare. Ndërkohë trafikantët e marijuanës kanë riaktivizuar rrjetet edhe në kufirin shqiptaro grek. Policia shqiptare dy ditë më parë bllokoi mbi 500 kilogramë marijuanë në Pikën Kufitare të Kapshticës, në Juglindje të vendit.

Burimet zyrtare pohuan se sasia e lëndës narkotike u bllokua në një automjet tregëtar që udhëtonte drejt Greqisë me destinacion final Turqinë. Edhe policia greke bllokoi në zonën afër kufirit me Shqipërinë mbi 200 kilogramë marijuanë dhe arrestoi një shtetas nga Shqiperia në mjetin e të cilit u gjet sasia e lëndës narkotike.

XS
SM
MD
LG