Lidhje

Rivaliteti Cruz-Trump në Teksas


Gara për zgjedhjen e kandidatit për president të partisë republikane dhe asaj demokrate praktikisht mund të përfundojë nesër. Të martën, më 1 marsi, apo siç njihet ajo si Super e Marta, do të zhvillohen zgjedhje në 13 shtete. Për republikanët, gjatë zgjedhjeve të nesërme do të përcaktohen gati gjysma e delegatëve nga 1,237 që i nevojiten një kandidati për të siguruar emërimin e partisë. Shteti më i madh në grup është Teksasi, me 155 delegatë.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, miliarderi nga Nju Jorku, Donald Trump është i vendosur të marrë sa më shumë delegatë në shtetin e rivalit të tij, senatorit Ted Cruz.

Edhe pse ata kanë qëndrime të afërta politike, Donald Trump dhe Ted Cruz po bëjnë fushatë të ashpër kundër njeri tjetrit.

"Ne kemi parë përgjigjet e politikanëve në Uashington rreth një programi të paligjshëm ose jo-kushtetues, ata thonë se programi duhet të përfundojnë një ditë, jo menjëherë, por një ditë në të ardhmen".

Trump ka besim se ai do të fitojë të martën dhe do të jetë kandidati presidencial i Partisë Republikane.

"Ata po humbasin, ju i keni parë rezultatet e anketës së re nga Bloomberg".

Gazetari: "Senatori Cruz është duke fituar në Teksas. Ai është në epërsi ndaj jush këtu".

Trump: "Ai nuk po fiton në Teksas. Sipas anketave të fundit ne jemi barabar në Teksas, dhe unë jam duke e mundur atë me një rezultat të thellë në çdo shtet tjetër".

Disa sondazhe tregojnë se Cruz ka një epërsi të gjerë në Teksas dhe një epërsi më të vogël në shtetin fqinj të Arkansasit, por Trump është duke udhëhequr në shtetet e tjera.

Ted Cruz ka shpenzuar vite në marrjen e mbështetjes së të krishterëve evangjelistë dhe konservatorëve fiskalë në lëvizjen Tea Party, si zotin Bill O'Sullivan, sekretar thesari në organizatën Texas Patriots PAC, i cili mendon se votuesit këtu do të mbështesin Ted Cruz-in.

"Njerëzit e Teksasit e dinë që Tedi është nga Teksasi dhe atyre u pëlqen fakti që ai shkoi në Uashington dhe bëri atë që premtoi".

Ai thotë se shumë konservatorë e mbështesin zotin Trump për shkak të retorikës së tij të hapur e cila shpesh shpreh atë që shumë votues ndjejnë.

"Njerëzit po reagojnë në mënyrë emocionale ndaj gjërave që po thotë Trump-i sepse ata janë tepër të frustruar me sistemin".

Profesori i Shkenca Politike në Universitetin Rice, Mark Jones i kupton këto shqetësime të votuesve por mendon se Donald Trumë është një zgjedhje e pazakontë për konservatorët.

"Qëndrimet e tij janë më të afërta me ato të një demokrati se sa të një kandidati tjetër republikan, në çështjet si mbështetja e tij të fundit për krijimin e një sistemi të ngjashëm me planin e tanishëm të kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, dhe politika e tij më proteksioniste ekonomike".

Por Jones thotë se shumë votues nuk janë shumë të influencuar nga ideologjia. Disa njerëz të cilët u thonë anketuesve se u pëlqen zoti Trump, thonë gjithashtu se u pëlqen edhe kandidati demokrat, Bernie Sanders, i cili është shumë më i majtë se sa zoti Trump.

"Njerëzit, ndoshta për arsye të ndryshme, janë të mërzitur me status kuonë dhe si Sanders ashtu edhe Trump po premtojnë ndryshimin e saj".

Ndërkohë që një fitore e madhe e zotit Trump të martën do t’i jepte një nxitje fushatës së tij dhe do të dëmtone zotin Cruz, senatori nga Florida, Marco Rubio pritet të ketë një paraqitje të mirë që do të jetë e mjaftueshme që ai të vazhdojë fushatë, duke kërkuar mbështetjen e votuesve të cilët kanë mbështetur kandidatët e tjerë dhe tani e shohin atë si të vetmen alternativë ndaj Donald Trumpit.

XS
SM
MD
LG