Lidhje

Intervistë me drejtuesin e Vetvendosjes Visar Ymeri


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës është përshkuar me ndërhyrje e shantazhe ndaj deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke ritheksuar kundërshtimin e kësaj lëvizjeje ndaj zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit, zoti Ymeri në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, hedh dyshimet për lëshime të reja ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb nga ana e koalicionit qeverisës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri, Kosova u bë me president të zgjedhur në një periudhë krize politike dhe përkundër kundërshtimeve tuaja. Megjithatë, a ka ndonjë rrugë që të bashkëpunoni me të për tejkalimin e situatës aktuale?

Visa Ymeri: Së pari, mënyra se si është zgjedhur presidenti është absolutisht e papranueshme. Ne e kemi thënë vazhdimisht se këto institucione qendrore lëngojnë për nga legjitimiteti demokratik, veçanërisht pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, se si kjo qeveri udhëhiqet nga dy njerëz të cilët e kanë shkelë kushtetutën duke e kërcënuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit. Dhe në këtë drejtim, konsiderojmë që kjo maskaradë që e pamë të premten, të këtij që po e quajmë proces të zgjedhjes së presidentit, është bërë nga një institucion, së pari me legjitimitet të cunguar, e në anën tjetër edhe vet procesi ka qenë proces i cili është lehtë i kontestueshëm, duke pasur parasysh mënyrën se si është trajtuar çështja. Pra, në njërën anë me intervenim karshi deputetëve të opozitës, intervenim ky brutal që na tërhoqi zvarrë nga salla përmes policisë dhe në anën tjetër edhe për nga shantazhi, kërcënimet dhe në përgjithësi ato pauzat që shfrytëzoheshin për t’ua ndryshuar mendjen deputetëve të cilët siç u pa, në fazën e parë të votimit nuk ishin për ta zgjedhur këtë person president të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk e legjitimuat ju në njëfarë mënyrë me faktin që kishit anëtarin tuaj, anëtar të komisionit të votimeve?

Visa Ymeri: Jo, në fakt prania e deputetit Ilir Deda, ka qenë vetëm sa për ta vështruar procesin në mënyrë që të pamundësohen keqpërdorimet procedurale në sallën e kuvendit, për të cilat natyrisht kishim dyshime. Ndërkohë që në anën tjetër dihet që kuorumi është ai që numërohet në kutitë e votimit dhe jo prania në sallë në rastin e zgjedhjes së presidentit dhe e keni parë që fletëvotime kanë qenë 81, ndërkohë që deputetët në sallë kanë qenë 82. Pra nuk është llogaritur kjo si pjesë e kuorumit. Në anën tjetër ne e kemi parë vazhdimisht dhe ka pasur madje edhe në publik zëra që flisnin për shantazhin që po ushtrohet karshi deputetëve nga kreu i LDK-së veçanërisht, i cili është përgjegjësi kryesor për mendimin tonë, që i mundësoi zgjedhjen Thaçit president të Republikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri, por ai kishte një marrëveshje politike të cilës nuk mund t’i shmangej?

Visar Ymeri: Po, sidoqoftë, cilado që të ketë qenë tash arsyetimi i LDK-së ose i Isa Mustafës në këtë rast, mendoj që duhet të etablohet si e vërtetë e pakontestueshme se ishte Isa Mustafa që i mundësoi Thaçit zgjedhjen si president. Duhet të kemi parasysh që këtu jo vetëm që është zgjedhur një person president, ose përmes kësaj procedure që e kapi majën e shtetit në njëfarë mënyre, por duhet ta kemi parasysh po ashtu, që është folur për një kohë të gjatë rreth kësaj çështjeje që ka një tendencë të vazhdueshme për blerjen e votave të deputetëve. Gjë që u pa që edhe ka ndodhur. Pra, një pjesë e deputetëve që kanë ndërruar mendje jo vetëm ditën e votimit por edhe para saj. Dhe në këtë drejtim konsideroj që këtu është ngritur në një nivel më të lartë kjo blerja e votës, që e kemi parë të ndodhë në proceset elektorale në Kosovë. Kjo e ka vendosur në krye të shtetit një person i cili është i dyshuar për krime të shumta të pasluftës, pra të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilin mbetet një prej personave kryesor, që i bie se praktikisht sot Kosova në krye të vendit e ka një njeri të korruptuar dhe njeri të përfshirë në krimin e organizuar, në uzurpimin e pronës dhe në afera të tjera të kriminalizuara dhe në këtë drejtim, bashkëpjesëmarrës në këtë krim është bërë edhe Isa Mustafa përmes mundësimit të kontrabandimit të Hashim Thaçit si president i Kosovës. Kjo, praktikisht e sjell Kosovën në një situatë jashtëzakonisht të vështirë për procesin demokratik, sepse këtu demokracia është shndërruar jo në vullnet politik edhe në fuqi të votës, por në fuqi blerëse.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk ishte fuqia e votës që vendosi në parlament kësaj radhe. Koalicioni i kishte votat?

Visar Ymeri: Po, kjo votë ishte e ndërmjetësuar me para. Mendoj që njëra prej mekanizmave që e ka mundësuar këtë votë, ka qenë edhe paraja, blerja e votave, tjetra ka qenë kërcënimi dhe shantazhi dhe për të gjitha këto është folur edhe publikisht edhe pse nuk ka konfirmime, sepse, natyrisht që ata persona nuk do ta konfirmojnë mbase kurrë. Por, ka material të bollshëm për ta dyshuar një ndërhyrje të tillë. Pra, nuk ka kurrfarë logjike, mendoj unë dhe nuk ka se si të arsyetohet ndryshimi prej 50 votave në raundin e parë deri në 71 vota në raundin e dytë. 21 deputetë u bindën për gjysmë ore që Hashim Thaçi qenka personi i duhur për të qenë president, kur nuk ishin bindur për gjithë këto vite, mendoj se kjo vetvetiu e shpjegon se çfarë ka ndodhur atë ditë në kuvend.

Zëri i Amerikës: Ju e keni lënë të hapur mundësinë që ta kontestoni zgjedhjen e zotit Thaçi në Gjykatën Kushtetuese. Mbi çfarë baze?

Visar Ymeri: Po, këtë jemi duke e shqyrtuar dhe jemi në konsultim edhe me dy subjektet tjera opozitare edhe me ekspertët kushtetues e juridik, jo vetëm brenda subjekteve, por edhe jashtë në mënyrë që ta shqyrtojmë mundësinë nëse ka bazë dhe nëse kjo është e mundur që kjo të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Zgjedhja e zotit Thaçi në postin e presidentit mund të krijojë një situatë të re në skenën politike ku partitë identifikohen kryesisht me udhëheqësit e tyre. Sa krijon hapësirë për ju kjo situatë?

Visar Ymeri: Kauza e opozitës së bashkuar është kauzë e cila është jashtëzakonisht e madhe dhe e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Dhe në këtë kauzë kemi pasur, si të them kështu, etapa të ndryshme në të cilat kundërshtimi ynë ka qenë i bazuar edhe në rrethanat edhe në domosdonë e të vepruarit. Ne do të jemi të vendosur në kauzën tonë, pra për ta pamundësuar në njërën anë bosnjëzimin e Kosovës dhe në anën tjetër për të pamundësuar cungimin e integritetit territorial të vendit. Por, kjo kauzë natyrisht që në rrugëtimin e saj i ka edhe kundërshtimet ndaj proceseve tjera që janë të ndërlidhura me këto dy çështje. Për shembull ju e keni parë se çfarë reagimi ka pasur ta zëmë Lista serbe dhe padroni politik i kësaj liste që është (Aleksandër) Vuçiçi karshi kësaj zgjedhjeje por edhe (Ivica) Daçiçi, i cili tha se tash pozita jonë në Kosovë vetëm sa është forcuar. Ndërkohë që janë paraqitur disa kushte për të cilat as nuk ka pasur pohim as mohim dhe të cilat supozohet që mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje të re në mes të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës me Listën serbe, për ta kushtëzuar qëndrimin e tyre në sallë. Duhet ta kemi parasysh një gjë: Hashim Thaçit ju mundësua që të votohet për president me praninë e Listës serbe aty.

Zëri i Amerikës: Po ishte pjesë e marrëveshjes së koalicionit zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Në fakt, marrëveshja e koalicionit që është bërë, marrëveshja e Rashkës, që e ka marrë emrin, aty Lista serbe me koalicionin tashmë të arritur mes PDK-së dhe LDK-së, ishin marrë vesh për modalitetin dhe kohën e themelimit të “zajednicës” së komunave me shumicë serbe. Ndërkohë që tash, prap po flitet për një rikonfirmim të zotimit të këtyre dy personave për ta themeluar këtë zajednicë. Dhe kjo bie ndesh drejtpërsëdrejti, jo vetëm me interesin dhe sovranitetin e vendit, por tash edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, që zajednicën praktikisht e shpalli të vdekur, duke e shndërruar atë në një organizatë joqeveritare.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të ndalem tek kjo. Mendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe gatishmëria e Podgoricës zyrtare për të ri diskutuar çështjen e demarkacionit a nuk ishin “momentume” të reja politike që nuk i shfrytëzuat ju si opozitë për t’i zgjidhur çështjet brenda institucioneve që është kërkesë edhe faktorit ndërkombëtarë drejtuar juve?

Visar Ymeri: Në të vërtetë ky ka qenë një momentum i rëndësishëm politik në të cilin qeveria e Republikës së Kosovës është dashur që të reflektojë. Pra, në të dyja këto raste, veçanërisht karshi aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku etablohet se zajednica nuk mund të themelohet sipas marrëveshjes së 25 gushtit, po që besa nuk mund të themelohet as sipas disa prej pikave të marrëveshjes së 18 prillit të vitit 2013, ka qenë një moment i jashtëzakonshëm që qeveria e Kosovës si nënshkrues e kësaj marrëveshjeje ta bëj një hap prapa në insistimin e saj për ta zbatuar marrëveshjen.

Zëri i Amerikës: Nëse ishte moment i mirë që ata të tërhiqeshin, siç thatë ju, një hap prapa, a nuk ishte moment i mirë që ju të bënit një hap para, por brenda institucioneve?

Visar Ymeri: Po, shihe, në periudhën në të cilën jemi dhe në të cilën kemi qenë që prej fillimit të vitit, duhet ta kuptojmë një gjë: është qeveria ajo e cila është zënë në flagrancë. Dhe është qeveria ajo e cila do të duhej të marr vendime në përputhje me vullnetin politik të qytetarëve, interesat shtetërore të Republikës së Kosovës dhe bazën juridike të kësaj republike. Asnjërën prej këtyre nuk e ka bërë qeveria e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim mendoj se nuk është këtu çështja e një lloj kompromisi, siç po quhen, të dyja palët, por është çështja e vendimeve nga ekzekutivi, në mënyrë që demokracisë së brishtë në Kosovë sadopak t’i kthehet një shpresë.

Zëri i Amerikës: Dhe ju zgjodhët metoda më të dhunshme për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokracinë në Kosovë. A janë demokratike këto mjete zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Veprimi jonë si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka qenë në përputhje me betimin tonë. Pra, betimi i secilit deputet të kuvendit i thotë pak a shumë, këto fjalë: zotohem që do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kjo i bie se do ta mbrojë në çdo rast, sa herë që kërcënohet nga kushdo që kërcënohet. Aty nuk flitet aspak për metodat. Tash, e di që metodat që i kemi përdorur, veçanërisht brenda kuvendit të Republikës së Kosovës, disa herë janë problematizuar, qoftë nga opinioni publik i brendshëm, qoftë jashtë Republikës së Kosovës, si metoda jo konvencionale të veprimit institucional. Mirëpo, duhet të kemi parasysh që ne nuk veprojmë në rrethana konvencionale edhe të zakonshme demokratike. Pra, ju e keni parë që në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për një kohë të gjatë janë diskutuar këto dy çështje: edhe zajednica edhe demarkacioni në anën tjetër. Disa herë kuvendi edhe ka nxjerrë rezoluta për këto çështje. Të gjitha këto janë shpërfillur nga institucionet e Kosovës. Dhe opozita e bashkuar ka qenë e detyruar që të ndërmarrë këto masa në mbrojtje të republikës, sepse nuk kishte mundësi tjetër që të mbrohet republika nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët ishin të vendosur që në marrëveshje me Vuçiçin ta cenojnë rëndë interesin e republikës dhe mundësinë e sovranizimit të saj.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk po ua paguani çmimin këtyre mjeteve, posaçërisht lëvizja Vetëvendosje por edhe opozita në përgjithësi që në një mënyrë është izoluar edhe nga faktori ndërkombëtarë për shkak të këtyre mjeteve dhe metodave?

Visar Ymeri: Mendoj që së pari kjo çështja e gazit lotsjellës është e ngutshme që të klasifikohet si metodë e dhunshme, duke pasur parasysh që gazi lotsjellës i përdorur në kuvend, ka pasur për qëllim pamundësimin e normalizimit të punës në kuvend, në ndërkohë që zajednica e abnormalizonte Republikën e Kosovës. Nuk e ka pasur për qëllim lëndimin e askujt dhe nuk ka qenë e drejtuar ndaj asnjë personi. Dhe në këtë drejtim konsideroj se kjo nuk mund të konsiderohet si dhunë. Ndërkohë që motivi, arsyeja, pse është bërë kjo, mendoj që është shumë më i lartë sesa pamja që e ka paraqitur, ta zëmë seanca e kuvendit me gazin lotsjellës, e cila natyrisht nuk është një pamje normale dhe nuk është një pamje që nuk tërheqë vëmendje.

Zëri i Amerikës: Krahas gazit lotsjellës, kemi parë në rrugë shihe me benzinë apo si njihen “koktej molotov”. A është kjo metodë e dhunshme? A jeni ju autorët dhe a është kjo rruga për ndryshimin në vend?

Visar Ymeri: Në protesta ka pasur nganjëherë edhe dalje nga skenari, në kuptimin e njerëzve të caktuar, të cilët për arsye të ndryshme, tash nuk dua t’i gjykoj, kanë përdorur disa masa të cilat nuk kanë qenë të paramenduara. Mendoj që kjo arsyetohet, ose duhet të trajtohet nga dy perspektiva të mundshme që mund të lidhen me njëra tjetrën. Në njërën anë, duhet të kuptojmë një gjë që pushteti me mënyrën se si është sjellë veçanërisht karshi këtyre dy marrëveshjeve është shndërruar në një pushtet të dhunshëm. Ndërkohë që ky pushtet, i njëjti, shpeshherë këtë dhunë implicite edhe e ka bërë eksplicite edhe brutale, në kuptimin e ndërhyrjes ndaj protestuesve, ndërhyrjes në zyrat e subjekteve politike, në këtë rast lëvizjes Vetëvendosje, siç e keni parë me policë me armë të zhveshura dhe të armatosur deri në dhëmbë. Dhe ndërhyrja e fundit e shesh që na i konfiskoi të gjitha tendat që i kishim vendosur aty për ta organizuar protestën tonë paqësore. Në anën tjetër kemi në Kosovë një numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve të cilët janë të mllefosur dhe të cilët po e humbin durimin me këtë gjendje që ka stagnuar tash e 16 vite pa ofruar kurrfarë mundësie të perspektivës, qoftë ekonomike, politike, sociale etj.

Zëri i Amerikës: Kjo pakënaqësi a nuk mund të shndërrohet në vota në zgjedhjet në afatet kushtetuese për të ndryshuar gjendjen, në vend të përdorimit të mjeteve të dhunshme që shpesh është thënë se janë përpjekje e Vetëvendosjes që me njëfarë revolucioni ta ndryshojë gjendjen në vend?

Visar Ymeri: Po shihe, ne kemi insistuar vazhdimisht që kjo qeveri duhet të jap dorëheqje që Kosovës t’i hapet rruga për një proces demokratik të zgjedhjeve të lira që do të prodhonin një legjitimitet të ri institucional në nivel qendror. Dhe vazhdojmë të insistojmë sepse vlerësojmë se nuk mund të flitet fare për demokraci as në Kosovë e askund tjetër, nëse në krye të saj janë njerëzit që kanë shkelur kushtetutën. Në këtë drejtim, zgjidhja e vetme në Kosovë është që zgjedhjet e reja të prodhojnë institucione të reja dhe këto institucione të reja do të prodhonin pastaj edhe vendime të reja, president të ri, qeveri të re dhe politika të reja. Mirëpo, pushteti është barrikaduar në pozicionin e vet. Për çdo herë e më shumë po e merr ne fakt epitetin e një regjimi autoritar, gjë qe e keni parë që tash po përdoret edhe në mediat ndërkombëtare si i tillë. Mendoj që është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm që qytetarët e republikës t’i dalin në mbrojtje jo vetëm republikës, por edhe hapësirës publike për pjesëmarrjen e tyre politike, që është baza e demokracisë.

Zëri i Amerikës: Kosova ato që i ka arritur i ka arritur me mbështetjen e aleatëve perëndimore posaçërisht Shtetet e Bashkuara. Duke pasur parasysh marrëdhëniet tuaja me diplomacinë euro perëndimore, si mendoni t’i bëni ndryshimet, meqë juve ju rrah emri i njerëzve që nuk janë të afërt me atë pjesë të aleatëve që kanë pasur aq shumë peshë për zhvillimet politike në Kosovë?

Visar Ymeri: Po mendoj që së pari legjitimiteti politik dhe institucional, buron nga qytetarët. Kjo është çështja më e rëndësishme dhe nëse ka një lëvizje shoqërore që kërkon ndryshime në Kosovë, atëherë natyrisht që edhe shtetet që kanë qasje miqësore karshi Kosovës e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që historikisht i kanë ndihmuar shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, mendoj që duhet të ishin dhe janë në fakt, nëse ua vëreni edhe deklarimet e tyre publike, në miqësi dhe në partneritet me popullin e Kosovës më shumë sesa me këdo në Kosovë. Në këtë drejtim mendoj që ky është ai partneriteti i shëndoshë që do të duhej ta ndërtonim. E dyta është që shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe që e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës por edhe popullin shqiptar gjatë luftës, janë shtete që natyrisht nuk do të merrnin asnjëherë pozicion që do të ishte në kundërshtim me interesat e Kosovës. Dhe në këtë drejtim në duhet ta kemi parasysh që kjo aleancë, ky partneritet që duhet ta ndërtojmë, me SHBA por edhe me vendet tjera që e kanë njohur Kosovën, do të duhej të ishte një aleancë dhe partneritet që ia mundëson Republikës së Kosovës zbatimin dhe avancimin e interesit të vet, natyrisht duke mos e dëmtuar pastaj edhe interesin e dyanshëm, por edhe si të them, kështu situatën rajonale në përgjithësi. Dhe në këtë drejtim, konsideroj që aktualisht problemi qëndron më njerëzit që i kemi në qeveri. A nuk është për shembull kërkesë e vazhdueshme e miqve tanë që të kemi një vendosmëri më të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, duhet të kemi parasysh një gjë. Kjo nuk luftohet vetëm më fjalë, nuk luftohet vetëm me konferenca. Kjo nuk luftohet vetëm me paraqitje publike të kujtdo qoftë i cili flet kundër krimit dhe korrupsionit. Krimi dhe korrupsioni në Kosovë kanë emër. Duhet t’ia vëmë emrin dhe duhet të kemi institucione të gjyqësisë së pavarur dhe të fuqishme mjaftueshëm, në mënyrë që ta luftojmë këtë krim dhe korrupsion. Është dëshmuar tashmë që me këto politika të deritashme nuk mund të avancojmë tutje. Pra, ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të politikbërjes në Kosovë dhe në anën tjetër ka nevojë për institucione të fuqishme që janë më të fuqishme sesa emrat e përveçëm brenda sistemit. Aktualisht nuk e kemi një gjë të tillë. Pra, u pa edhe në rastin e fundit që personat me pushtet politik dhe financiar në këtë rast zoti Thaçi, bëjnë çmos që të uzurpojnë një post të ri për vete dhje për këtë janë të gatshëm të shkelin çfarëdo rendi institucional dhe çfarëdo vullneti të qytetarëve, përfshirë edhe qytetarin në protestë, siç veproi policia. Kështu që në këtë drejtim të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova nëse ecën kështu do të behët një shtet që do t’i ngjasojë shumë Bosnjës. Dhe natyrisht një shtet të tillë të dështuar nuk e do askush, e nuk e donë as aleatët dhe miqtë tanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG