Lidhje

Opinioni i Venecias, palët të kënaqura

  • Armand Mero

Reforma në Drejtësi, kryetari i Komisionit të posacëm Xhafaj: Rikonfirmoi modelet dhe zgjidhjet e propozuara. Emërimet nga parlamenti jo të kënaqin interesin politik. Opozita: Venecia pranoi shqetësimet tona për kapjen politike të sistemit

Në Shqipëri, palët politike vlerësuan me tone pozitive projekt opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias lidhur me variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese për Reformën ne Drejtësi. Pavarësisht këndëvështrimeve të ndryshme, ata shprehen dakort me rekomandimet e paraqitura dhe me nisjen e një dialogu politik për vënien e tyre në jetë. Kryetari i komisionit të posacëm parlamentar Fatmir Xhafaj theksoi megjithatë se emërimet nga parlamenti nuk duhen të mbajnë parasysh interesin politik

Projekt opinion i Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, duket se i ka lënë të gjithë të kënaqur. Të paktën për momentin, pavarësisht pjesëve të ndryshme të dokumentit, të cilave u mëshojnë, palët shprehen entuziaste. Kryetari i komisionit të posacëm parlamentar për Reformën, Fatmir Xhafaj, u shpreh se “Drafti i Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara në lidhje me reformën në drejtësi, qartësisht e pa asnjë ekuivok ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciativës kushtetuese për të reformuar sistemin e drejtësisë si edhe përfundimisht, ka konfirmuar strukturën institucionale me modelet dhe zgjidhjet teknike të propozuara në projektin kushtetues”.

Zoti Xhafaj theksoi se Komisioni i Venecias “ka vlerësuar pozitivisht të gjithë procesin dhe procedurën e deritanishme të përgatitjes së draftit të amendamenteve kushtetuese” si dhe “ka vlerësuar shumë pozitivisht kontributin dhe punën e të gjithë Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe në përgjithësi të të gjithë njerëzve që janë angazhuar në këtë proces”.

Opozita ka qenë mjaft kritike ndaj procesit, dhe dërgoi një dokument me vërejtje në Venecia. Angazhimi i saj është përcaktues në miratimin e reformës, e për këtë arsye, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar disa herë kanë ndërhyrë në rolin e ndërmjetësit. Edhe sot ishte ambasadori amerikan Donald Lu dhe shefi i zyrës së Opdat-it të cilët i dorëzuan drejtuesve të Partisë Demokratike projekt opinionin përfundimtar. Për deputetin demokrat Eduard Halimi “Partia Demokratike është e inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ka ngritur opozita që në fillim për draftin e parë të Ramës, për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Shqetësime të cilat adresohen pothuajse në të gjitha paragrafet e draft-opinionit të Komisionit të Venecias”.

Pas miratimit zyrtar të projektit nga Komisioni i Venecias, më 12 mars, nis faza delikate e procesit, ajo politike e zbatimit të rekomandimeve të bëra. “Eshtë detyrë e qeverisë dhe mazhorancës që të krijojë kushtet për dialog politik i cili ti japë zgjidhje të gjitha çështjeve për të cilat komisioni i Venecias flet qartë për nevojën e domosdoshme të një dialogu politik në çështjet e miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh zoti Halimi.

Nga ana e tij zoti Xhafa saktësoi se “në përmbushje të këtyre rekomandimeve, ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjidhje që opozitën e bënë pjesë reale të procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, por me kushtin që këto organe të mos jene “të balancuara politikisht” dhe ose emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik. konsiderojmë shumë të drejtë konkluzionin e shprehur për këtë gjë në opinionin e Komisionit të Venecias ku thuhet se “Ky proces emërimi duhet të garantojë që Parlamenti të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar, dhe jo midis të përzgjedhurve politikë”.

Sipas zotit Xhafaj, “Venecia nuk rekomandon që organet e reja që do të krijohen të konsiderohen si një parcelë të cilën palët politike, pavarësisht se kush janë, kanë të drejtën ta ndajnë sipas peshës politike që kanë apo sipas oreksit të momentit”.

Komisioni i Venecias vlerëson pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, dhe punën e bërë nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të cilët u angazhuan në mbështetje të Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Sipas Venecias, dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar. Teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane” nënvizon Komisioni i Venecias, ndërsa konsideron “të justifikuara e të nevojshme” ndërhyrjet drastite të parashikuara.

XS
SM
MD
LG