Lidhje

Çështja FBI - Apple në Kongres

  • Richard Green

Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe gjigandi teknologjik Apple u përplasën dje në Kongres, rreth mosmarrëveshjes për hapjen e një iPhon-i. Autoritetet amerikane po përpiqen të detyrojnë firmën Apple të hapë telefonin e përdorur nga njëri prej terroristëve në San Bernardino të Kalifornisë.

Byroja Federale e Hetimit po kërkon që Apple të ndërtojë një program që do t’i ndihmonte ata të hapin telefonin e përdorur nga Syed Rizwan Farook. Farook bashkë me gruan e tij vranë 14 njerëz dhe plagosën 22 të tjerë në muajin dhjetor.

Drejtori i FBI-së James Comey i tha Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve se agjencia ka nevojë për qasje më të madhe në komunikimin dixhital për të mbrojtur amerikanët nga grabitësit e fëmijëve, përdhunuesit dhe grupet terroriste, si Shteti Islamik.

Nuk ka djajë në këtë debat. Kompanitë dhe qeveria nuk janë mëkatarë. Ka shumë njerëz të mirë që e shohin botën përmes lenteve të ndryshme, dhe që ndajnë të njëjtat shqetësime. Kompanitë shqetësohen për sigurinë publike. FBI shqetësohet për novacionet dhe privacinë. Ne punojmë për të ndalur njerëz të vjedhin novacionet tona, sekretet tona, dhe hakerët që të futen në paisjet tona, Ne ndajmë të njëjtat shqetësime, çfarë duhet ta bëjë më të lehtë këtë debat.”

Bruce Sewell, përfaqësuesi ligjor i firmës Apple, tha para komisionit se ndërsa kompania nuk ka simpati për terroristët, qeveria amerikane po i kërkon asaj të hapë një derë të pasme, gjë që rrezikon privacinë e përdoruesve të telefonave inteligjent.

Hakerët dhe kriminelët kibernetikë mund ta përdorin këtë për të shkatërruar privacinë dhe sigurinë personale. Do të ishte precedent i rrezikshëm për ndërhyrjen e qeverisë në privacinë dhe sigurinë e amerikanëve. Qindra milionë njerëz që respektojnë ligjin i besojnë firmës Apple detaje intime të jetës së tyre, që nga fotot e deri tek llogaritë bankare, nga vendndodhja e përdoruesit tek vendndodhja e familjes apo miqve të tij.”

FBI dëshiron të studiojë telefonin e Syed Rizwan Farook për të parë nëse ai kishte kontaktuar të tjerë lidhur me sulmin. Ai dhe gruaja e tij e lindur në Pakistan, Tashfeen Malik, u vranë disa orë pas masakrës gjatë një përleshje me policinë.

Një gjykatës në Kaliforni ka urdhëruar firmën Apple të zbatojë kërkesën e FBI-së, por rezultati është i pasigurtë ndërsa kompania e ka apeluar kërkesën.

Nëse apeli nuk rrëzon kërkesën e gjykatësit, zyrtarët amerikanë të rendit thonë se do t’i kërkojnë firmës që të hapë edhe telefona të tjerë të përfshirë në hetime kriminale.

Seanca dëgjimore në Kongres erdhi pasi Apple fitoi një çëshjte përballë qeverisë në një rast të ngjashëm. Një anketë tregon se shumica e amerikanëve e mbështesin qendrimin e qeverisë në përballjen me kompaninë Apple.

XS
SM
MD
LG