Lidhje

BB: Shqipëria të mbajë ritmin e reformave


Zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore Cyril Muller në Tiranë: Rritja ekonomike afatgjatë të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve

Në Shqipëri, zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore Cyril Muller, theksoi nevojën që vendi “të mbajë ritmin e reformave” dhe se rritja ekonomike afatgjatë e tij “duhet të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve për të siguruar një mirëqënie më të madhe”. Këto deklarata zoti Muller i bëri në përfundim të vizitës së tij dy ditore në Tiranë gjatë së cilës ai u takua me autoritet kryesore politike dhe financiare. “Kjo vizitë u fokusua në përpjekjet për reforma afatgjata të Shqipërisë për të kapërcyer izolimin historik dhe ecur drejt integrimit të plotë në BE dhe në nivel global”, thekson një komunikatë e shpërndarë nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë, sipas së cilës “zëvendës Presidenti Rajonal vlerësoi rezultatet e programit afatmesëm të konsolidimit fiskal, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore që ndihmojnë rritjen ekonomike”.

Banka Botërore ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme ndër vite për realizimin e një sërë reformash të rëndësishme në Shqipëri. “Po fillojmë të shohim rezultatet pozitive të valës së parë të reformave makroekonomike dhe strukturore. Përfundimi i këtij programi të vështirë dhe afatgjatë reformash do të kërkojë kohë. Është me rëndësi kritike të ruhet ritmi dhe kahu i tyre,” tha zoti Muller, duke shtuar se “kalimi i Shqipërisë drejt një modeli të ri rritjeje të orientuar nga eksportet dhe investimet, përmirësimi i mjedisit të biznesit, qeverisja e mirë dhe transparenca do të jenë me rëndësi për përshpejtimin e rritjes dhe mirëqenies së përbashkët.”

Zëvendës Presidenti Rajonal nënvizoi nevojën për të gjetur burime të reja për ta përshpejtuar rritjen, si dhe nevojën e një shtytjeje të fortë për reformimin e shtetit dhe të shërbimeve të tij, lidhjen rajonale, gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore në tregjet e punës, dhe çlirimin e potencialit të sektorit privat.

Që prej vitit 1991, kur u anëtarësua në Bankën Botërore, Shqipëria ka marrë mbështetje për 86 projekte, në shumën totale prej mbi 2,4 miliard USD kredi dhe grante nga IDA (International Development Association) Fond i Bankës Botërore për Varfërinë, dhe hua nga IBRD, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Aktualisht, Banka Botërore mbështet një portofol prej nëntë projektesh në shumën 544 milion USD.

XS
SM
MD
LG