Lidhje

Lu: Ju ndalua hyrja në SHBA disa gjykatësve të korruptuar


Ambasadori amerikan në Tiranë shpjegoi se ““ju janë refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka ndaluar hyrjen në territorin e saj disa gjykatësve të korruptuar”: një masë e tillë u bë e ditur sot në mbrëmje nga ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Duke ju përgjigjur pyetjes së një qytetari shqiptar, pjesë e programin të ambasadës amerikane të Video Pyetjeve & Përgjigjeve në YouTube, lidhur me korrupsionin në Shqipëri ambasadori Lu shpjegoi se këtyre gjyqtarëve “ju janë refuzuar apo anulluar vizat”. Identiteti i këtyre gjykatësve apo dhe numri i tyre nuk është bërë i ditur, por në përgjigjen e tij ambasadori shtoi se “ky është vetëm fillimi. Ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”. Zoti Lu deklaroi se “korrupsioni është prioritet kryesor i qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona, por edhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar, ne pamë se si partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Ne, gjithashtu, mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, nënvizoi ambasadori Lu.

Ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të korruptuar, ambasadori amerikan e kishte paralajmëruar që vitin e shkuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin qershor ai kishte shpjeguar se “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, kishte deklaruar ambasadori.

Masat e autoriteteve amerikane ndaj gjykatësve shqiptarë të dyshuar për korrupsion vijnë në një moment kur në javët e ardhshme parlamenti shqiptar pritet të diskutojë reformën në Drejtësi. Një numër i madh ndërhyrjesh në Kushtetutë, të parashikuara nga reforma, synojnë një përmbysje thuajse të të gjithë sistemit aktual të Drejtësisë dhe riformatimin e institucioneve kryesore të tij. Ndërsa të gjithë gjykatësit e prokurorët pritet t’i nënshtrohen një verifikimi e kontrolli të detajuar si të formimit të tyre profesional ashtu dhe të integritetit moral e pasurive të tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG