Lidhje

Përpjekje për mësimin e shqipes në Greqi


7 marsi në Selanik, Greqi
7 marsi në Selanik, Greqi

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi hapi një tjetër shkollë të gjuhës shqipe në qytetin e Artemisës, në zonën e Atikës nëGreqi.

Në Ditën e 7 Marsit, që njihet si Festa e Mësuesit në Shqipëri, Federata tha se shkolla ishte kontribut i mësuesve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë zonë.

“Është detyrim i të gjithëve ,u shpreh Kryetari i Federatës Edmond Guri, të përpiqemi për hapjen e sa më shumë kurseve të mësimit të gjuhës shqipe dhe të ruajmë identitetin kombëtar shqiptar “.

Disa kurse të mësimit të shqipes funksionojnë prej 15 vitesh në disa qytete të Greqisë, ndërkohë që nevojat e fëmijëve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë për të ruajtur gjuhën amtare janë të mëdha.

Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe organizata të tjera kanë shprehur nevojën e mbështetjes me tekste mësimore dhe bazë materiale nga Ministria shqiptare e Arsimit.

Në qytetin e Selanikut, Shoqata Nënë Tereza organizoi një ceremoni festive me prindër dhe fëmijë për 7 Marsin. Mësuesit e gjuhës shqipe u kërkojnë autoriteteve shqiptare që të kthejnë vëmendjen nga mbështetja e këtij komuniteti.

Kriza ekonomike në Greqi e ka vënë në vështirësi komunitetin e emigrantëve shqiptarë që emigroi në këtë vend pas viteve nëntëdhjetë. Brezi i parë i fëmijëve të emigrantëve shqiptare është përballur me sfidën e ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe.

Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se në dhjetëra kurse të mësimit të shqipes të hapura ne Greqi nga vetë komunitetet e shqiptarëve mësojnë çdo vit rreth 1500 fëmijë shqiptarë.

XS
SM
MD
LG