Lidhje

Nancy Reagan, një ish Zonjë e Parë me ndikim


Dje u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, ish Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan, gruaja e presidentit Ronald Reagan, i cili udhëhoqi vendin për dy mandate. Njoftimi u dha nga Biblioteka e Ronald Reaganit në Kaliforni. Zonja Reagan vdiq nga një sëmundje e rëndë e zemrës.

Nancy Reagan konsiderohet si një nga zonjat e para më me ndikim në historinë amerikane. Bashkëshorti i saj, republikani Ronald Reagan, president nga viti 1981 deri në 1989, vdiq pas një beteje të gjatë me Alzajmerin në vitin 2004.

Çifti u takua për herë të parë në Hollivud, kur të dy ishin aktorë dhe ata u martuan në vitin 1952. Së bashku ata interpretuan në një film, para se Nancy të hiqte dorë nga aktrimi, për t’iu kushtuar tërësisht rolit të saj si bashkëshorte dhe nënë.

Por roli i saj do të ndryshonte përsëri kur bashkëshorti i saj u bë guvernator në vitin 1967. Si Zonjë e Parë e Kalifornisë, Nancy Reagan u angazhua me programin “Foster Grandparents”. Më vonë, si zonjë e parë e Shteteve të Bashkuara, ajo u bë nismëtarja e fushatës "Just Say No", e cila kishte si synim përpjekjet kundër përdorimit të drogës mes të rinjve amerikanë.

Por fokusi i jetë së saj ishte kurdoherë i shoqi. Kur Ronald Regani filloi të vuante nga Alzajmeri, ajo ju bashkua përpjekjeve për kërkimin e një kure. Një zonjë që fliste zakonisht qetë, Nancy Reagan vlerësohej për elegancën dhe vetëpërmbajtjen, por edhe për vullnetin e fortë; thuhet se ajo kishte shumë ndikim tek i shoqi.

Pas atentatit ndaj Presidentit Reagan, u tha se ajo punësoi një astrolog për të planifikuar programin e presidentit.

Nancy Reagan ja kushtoi vitet e fundit të jetës kujdesit për burrin e saj të sëmurë në shtëpinë e tyre në Los Angeles. Pas vdekjes së tij, ajo u mor vazhdimisht me organizimin e aktiviteteve për nderimin e figurës së të shoqit.

XS
SM
MD
LG