Lidhje

Anulohet takimi elektoral i Trumpit për shkak të protestave


Shumë njerëz po fajësojnë kandidatin republikan për president, Donald Trump, për kultivimin e dhunës ndaj protestuesve në mitingjet e tij elektorale. Si pasojë e kësaj situate, ai u detyrua të anullojë një tubim në qytetin e Çikagos, duke deklaruar se ishte vendimi i duhur për sigurinë e njerëzve të mbledhur. Policia e Çikagos njoftoi se pesë persona ndodhen nën arrest, ndërsa dy oficerë policie u dërguan në spital me plagë të lehta.

Mijëra protestues u përplasën mbrëmë me mbështetësit e zotit Trump pak përpara se ai të hipte në podium.

“Zoti Trump sapo ka mbërritur në Çikago, dhe pasi u takua me përfaqësues të organeve të rendit, vendosi për hir të sigurisë së dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur këtu, që tubimi i sotshëm të shtyhet për një datë tjetër. Faleminderit shumë që erdhët, dhe lutemi të shpërndaheni në paqe.”

Zoti Trump denoncoi dhunën duke u shprehur se protestuesit dhunuan të drejtën e tij kushtetuese të fjalës së lirë. Ai pati shpresuar të fliste për mbështetësit e tij përpara votimeve paraprake të së martës.

“Protestuesit kanë kuptuar se nuk kanë asnjë pasojë më prej protestës së tyre. Dikur kishin pasoja, por jo më.”

Kështu u pati thënë mbështetësve të tij zoti Trump, në qytetin St. Louis, pasi vonoi fjalimin e tij, ndërkohë që forcat e sigurisë nxirrnin nga salla protuesit e atjeshëm.

Rivali i tij, Senatori Marco Rubio, për pak sa nuk fajësoi zotin Trump për kaosin në Çikago. Ai tha se retorika e zotit Trump ka kontribuar për këtë shpërthim.

Ndërsa ish-rivali Ben Carson, duke ofruar mbështetje për kandidaturën e zotit Trump, dha përshtypjet e tij për cilësitë e këtij kandidati që ai mendon të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.

“Ka dy lloj Donald Trump. Njëri është ai që ju shikoni në podium, ndërsa tjetri është shumë mendimtar dhe që i shqyrton gjërat me kujdes. Mund të dialogohet shumë mirë me të.”

Deri më tani, Donald Trump i podiumit, ka ngjallur kremtime, por edhe kritika të ashpra.

Nuk është e qartë nëse zoti Trump do të ulë tonet e tij ndaj protestuesve për t’i paraprirë votimeve të së martës, të cilat janë shumë të rëndësishme për nominimin e Partisë Republikane të kandidatit që do të garojë për president.

XS
SM
MD
LG