Lidhje

Dorëzohet një amerikan, pjestar i ISIS


Isis Insurgent

Isis Insurgent

Një amerikan, anëtar i Shtetit Islamik, iu dorëzua forcave kurde Peshmerga në Irakun verior, pranë qytetit Sinjar.

Sarbaz Hama Amin, komandant i Peshmergëve në Irak, i tha Zërit të Amerikës se forcat e tij e vunë re të dyshuarin të hënën gjatë patrullimit.


"Ndërsa patrullonin përgjatë vijës së frontit ata panë diçka të pazakontë dhe filluan të qëllojnë. Pas kësaj, personi u zhduk, por patrulla u vu në kërkim të tij. Kur zbardhi, rreth orës 5:00 të mëngjesit, personi bërtiti dhe na tha në anglisht se donte të kthehej. Por Peshmergasit nuk e kuptuan anglisht. Pastaj foli disi arabisht. Patrulla e kontrolloi se mos kishte ndonjë ekzsploziv, e arrestoi dhe e çoi në kamp, ku personi tha se donte të dorëzohej.” Komandant Amini shtoi se i dyshuari u tha se babai i tij ishte palestinez.

Nga fotografia e patentës së makinës të shtetit Virginia personi u identifikua si Mohamed Jamal Khweis.

"Militanti ndoshta mund të ketë ardhur nga qyteti Talafar që kontrollohet nga ISIS, sepse ai vend është afër vijës së frontit," tha Amini. "Kweisi kishte para turke dhe disa dollarë. Ai gjithashtu kishte një kartë krediti VISA dhe patentën e makinës lëshuar nga shteti Virxhinia”, tha komandanti kurd.


Në Uashington, një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se ishin në dijeni të këtij rasti dhe ndodheshin në kontakt me autoritetet irakiane dhe kurde për të përcaktuar vërtetësinë e njoftimeve.

Gjenerali Hashem Sitayi i kurdëve Peshmerga në Irak i tha Zërit të Amerikës se i dyshuari kishte udhëtuar përmes Turqisë drejt Sirisë për t'u bashkuar me Shtetin Islamik.

Familja regon

Në shtëpinë e tyre në qytetin Aleksandri, të shtetit Virxhinia, prindërit e Mohamed Khweisit u zgjua të hënën në mëngjes nga një gazetar i Zërit të Amerikës dhe kameramani që i njoftoi mbi lajmin për kapjen e djalit të tyre.

Prindërit nuk kishin asnjë ide se biri i tyre ishte në Irak apo kishte lidhje me ndonjë grup ekstremist. Ata thanë se nuk kishin qenë në kontakt me djalin e tyre për një kohë të gjatë. Dhe mendonin se ai ishte në Kanada, dhe kishte udhëtuar për në Turqi.

Më vonë i ati, Jamal Khweis, në një intervistë ekskluzive me Zërin e Amerikës, tha se u përpoq për të marrë më shumë informacion nga autoritetet amerikane.

"Shkova në Departamentin e Shtetit për të pyetur në lidhje me djalin tim. Ata nuk më ndihmuan. Kur u ktheva në shtëpi gruaja më tha se shumë gazetarë dhe kamera televizive ndodheshin jashtë shtëpisë sime. Unë nuk do të flas me gazetarët derisa qeveria të konfirmojë kapjen e djalit tim."

Prindërit thanë se janë të përkatësisë palestineze. Babai tha se kishte ardhur në SHBA në vitin 1988.

Më parë, kur iu tregua një foto e publikuar e Khweisit në paraburgim në Irak, familja tha se nuk ishte e sigurt.

“Personi në foto nuk është vëllai im”, këmbënguli Tamer Khweis, një gjimnazist dhe vëllai i vogël i Mohammed Khweisit.

"Ka ngjashmëri, por nuk mund ta konfirmoj, sepse fotografia nuk është e qartë," tha nëna e tij.

Familja kishte thënë se sendet personale të djalit të tyre mund të jenë vjedhur dhe kanë përfunduar në Irak.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG