Lidhje

Fillon tërheqja e forcave ruse nga Siria


Russia Putin

Russia Putin

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se grupi i parë i avionëve të saj ushtarakë është larguar nga Siria, një veprim që vjen një ditë pasi Presidenti Vladimir Putin njoftoi tërheqjen e pjesës më të madhe të forcave ruse nga Siria. Rusia e filloi fushatën ajore në Siri pesë muaj më parë.

Presidenti Putin tha dje se "pjesa më e madhe" e kontigjentit të tij ushtarak në Siri do të largohet, pasi misioni i tyre atje është përmbushur.

"Unë mendoj se detyra e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të armatosura ruse është përmbushur, prandaj unë do ta urdhëroj ministrin e mbrojtjes që nesër, të fillojë tërheqjen e pjesës kryesore të ushtrisë sonë nga Republika Arabe e Sirisë. Unë i kam kërkuar Ministrisë së Jashtme që ta intensifikojë pjesëmarrjen e Federatës Ruse në organizimin e procesit të paqes, për zgjidhjen e problemit të Sirisë".

Avionët u larguan nga baza ajrore, Hmeymim e Sirisë, drejt Rusisë.

Ambasadori i Angolës në OKB, Ismael Gaspar Martins, i cili mban presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se lëvizja e Rusisë dhe fillimi i bisedimeve të paqes në Gjenevë të hënën tregon se tani është krijuar një frymë e re drejt arritjes së "një rezultati më pozitiv".

Edhe i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Steffan de Mistura përshëndeti vendimin e presidentit Putin duke e quajtur atë një “zhvillim të rëndësishëm”. Zoti De Mistura tha se ai shpreson se ky zhvillim do të ketë një ndikim pozitiv në bisedimet e paqes për Sirinë të cilat ai po i ndërmjetëson.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Barack Obama të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me zotin Putin për të diskutuar mbi njoftimin e Rusisë për tërheqje dhe për mënyrat e avancimit të negociatave politike për Sirinë.

Në Damask, zyra e presidentit të Sirisë tha se Bashar al-Assad kishte rënë dakord me vendimin e Rusisë, por shtoi se Rusia ka premtuar se nuk do të largohet i gjithë kontigjenti i forcave të saj ajrore që u dislokuan në vend fund të shtatorit.

Faqja e internetit e Kremlinit ka cituar zotin Putin të ketë thënë se Rusia do të mbajë një "bazë" për mbështetjen e fluturimeve të avionëve të përfshirë në monitorimin e marrëveshjes për ndërprerjen e luftimeve në Siri.

XS
SM
MD
LG