Lidhje

Përplasja Clinton-Trump


From left, Republican presidential candidate Donald Trump speaks to supporters at Mar-a-Lago Club in Palm Beach, Fla., while Democratic U.S. presidential candidate Hillary Clinton speaks at a rally in West Palm Beach, Florida, March 15, 2016.
From left, Republican presidential candidate Donald Trump speaks to supporters at Mar-a-Lago Club in Palm Beach, Fla., while Democratic U.S. presidential candidate Hillary Clinton speaks at a rally in West Palm Beach, Florida, March 15, 2016.

Rezultatet e kësaj jave në garën presidenciale amerikane kanë bërë që demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump të dalin, me sa duket, si kandidatët favoritë për të fituar emërimet në partitë e tyre. Kjo gjithashtu i vë ata në një kurs përplasjeje për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit dhe shkëmbimet mes tyre tashmë kanë filluar.

Favoriti republikan Donald Trump i festoi fitoret e së martës në hotelin e tij luksoz në Florida.

Por zoti Trump nuk priti as edhe një minutë të vetme për të sulmuar favoriten e demokratëve Hillary Clinton me një reklamë në Instagram.

Pas fitoreve të fundit, zoti Trump e ka zhvendosur vëmendjen tek bashkimi i Partisë së përçarë Republikane.

"Ne duhet ta bashkojmë partinë. Po ndodh diçka që në fakt po e bën Partinë Republikane ndoshta historinë më të madhe politike se kudo tjetër në botë," tha zoti Trump.

Kandidati Trump ka tani vetëm dy rivalë, senatorin e Teksasit Ted Cruz dhe guvernatorin e Ohajos, John Kasich, fitorja e të cilit në shtetin Ohajo i dha jetë të re fushatës së tij.

Sfida e zotit Trump për të shëruar partinë nuk do të jetë e lehtë, thotë analisti John Fortier.

"Në qoftë se elitat republikane fillojnë ta kuptojnë se ai është kandidati i mundshëm, disa prej tyre do të dëshironin të afroheshin pranë tij. Por procesi i shërimit të partisë do të jetë një proces shumë më i vështirë se më parë.”

Zonja Clinton bëri një hap të madh drejt marrjes së emërimit në partinë e saj, me fitoret në Florida dhe Ohajo. Ajo e ka zhvendosur tani vemendjen te rivali republikan, Trump.

"Kur dëgjojmë një kandidat për president thirrje për të arrestuar 12 milionë emigrantë, për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, kur ai shprehet në favor të torturës, kjo nuk e bën atë të fortë, e bën të gabuar," tha kandidatja demokrate.

Ngritja e zonjës Clinton si kandidate e mundshme demokrate, mund ta ndihmojë zotin Trump ta bashkojë partinë e tij, thotë analisti Allan Lichtman.

"Shumë figura të njohura republikane do ta mbështesin zotin Trump, të paktën sa për formë, nëse jo me entuziazëm; jo se ata e duan atë, por sepse kanë antipati ndaj zonjës Clinton. Pra, ajo është e vetmja figurë që mund të shërbejë për të bashkuar, të paktën përkohësisht dhe formalisht, Partinë Republikane," thotë analisti.

Emërimet e partive do të konfirmohen në kuvendet e tyre në muajin korrik. Por kandidatët Clinton dhe Trump duket se po e ndjejnë qysh tani takimin e tyre me fatin.

XS
SM
MD
LG