Lidhje

Hapja e bizneseve amerikane në Kubë


Saul Berenthal shpreson të hap një biznes në Kubë

Saul Berenthal shpreson të hap një biznes në Kubë

Dy kompani të vogla po punojnë për të ngritur biznese në Kubë, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës zbuten. Por pas muajsh përpjekjesh, firmave që duan të ndërtojnë traktorë dhe të shpërndajnë mallra ushqimore, ende u duhet të kapërcejnë pengesa burokratike për të hapur bizneset e para në Kubë pas disa dekadash. Investimi amerikan është bllokuar nga embargoja e gjatë ekonomike kundër vendit komunist, por tani disa nga kufizimet janë hequr.

Horace Clemmons dhe Saul Berenthal shpresojnë që të hapin një biznes në Kubë ku të montojnë traktorë të vegjël.

Këta inxhinierë me përvojë programesh kompjuterash, i kanë projektuar traktorët që të jenë jo të shtrenjtë, të vegjël, të thjeshtë dhe me përmasat e përshtatshme për ferma prej 40 hektarësh në Kubë.

Berenthal, që ka lindur në Kubë thotë se tregtia nga e cila përfitojnë njerëzit nga dy vende do të përmirësojë marrëdhëniet.

“Ne jemi gati të fillojmë dhe e kemi marrë dritën e gjelbër, por pengesat janë tek detajet e vogla. Kemi ende shumë për të bërë me dokumentat dhe anën burokratike, dhe marrëveshje me partnerë të ndryshëm”.

Clemmons, që është rritur në ferma dhe është i apasionuar pas makinerive, thotë se traktori i tij, mund të riparohet nga pjesë këmbimi që mund të sigurohen nga burime të ndryshme. Ai thotë se kjo veçanti e mban koston të ulët për fermerët, duke i shtuar shanset që kompania të ketë sukses dhe me të mund të eksportojë traktorë nga Kuba në të ardhmen.

“Është e sigurt që ne do të nxjerrim fitime dhe është e pashmangshme që ne do të prodhojmë traktorë në masë në Kubë, në të ardhmen e afërt”.

Dy biznesmenë duan të ngrenë një qendër tregëtie me shumicë në Kubë, të ngjashëm me një treg frutash dhe perimesh në Tampa të Floridës.

Fermerët do të sjellin fruta dhe perime për restorantet dhe biznese të tjera të mëdha që prodhojnë produkte ushqimore.

Manuel Fernandez dhe Michael Mauricio kishin një kompani të tillë në Tampa, që e kanë shitur.

Ata e kanë siguruar lejen nga Uashingtoni për të hapur një biznes në Kubë dhe do të shkojnë në Havana për të kërkuar miratimin e qeverisë kubaneze.

Ata nuk pranuan të intervistohen në kamera.

Studiuesi i Universitetit të Majamit, Joe Azel thotë se shumë kompani amerikane kanë shqyrtuar mundësinë e investimit në Kubë, ndërsa lehtësohen disa kufizime të imponuara nga embargoja ekonomike.

Por studiuesi thotë se shumë vetë shkurajohen kur marrin vesh se energjia elektrike dhe segmente të tjera të infrastrukturës, janë problematike, si edhe kur ndeshin pengesa ligjore.

"Ata po përpiqen të investojnë në një vend ku qeveria mund të veprojë në mënyrë kapriçoze dhe arbitrare në çdo kohë, prandaj nuk është një ambjent shumë i përshtatshëm për investime direkte të huaja, për të vendosur para në terren”.

Profesori Azel thotë se Kuba ka nevojë për pothuajse gjithçka, por përveç turizmit, cigareve dhe rumit, ky ishull nuk ka shumë për të shitur për të mbledhur fonde për zhvillim.

XS
SM
MD
LG