Lidhje

Ekstremizmi dhe rrjetet sociale


Zyrtarët evropianë thonë se sulmet e së martës në Bruksel kanë nxjerrë në pah nevojën për një shkëmbim më të shpejtë të informacionit midis qeverive dhe shërbimeve të inteligjencës.

Në Kaliforni, dy ekspertë të terrorizmit thonë ndërkaq se në këto përpjekje duhet të përfshihen edhe kompanitë e teknologjisë që mbështesin platformat e mediave sociale. Këta analistë, të cilët monitorojnë grupet e urrejtjes, thonë se kërcënimi i ekstremistëve të dhunshëm është bërë global.

Sulmet e Brukselit që lanë më shumë se 30 të vdekur dhe qindra të plagosur, tregojnë edhe një herë se sa të prekshme janë bërë vendet evropiane, të cilat janë shumë pranë gjeografikisht enklavave që kontrollohen nga ekstremistët në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

"Ekzistojnë territore që kontrollohen nga ISIS, ose Al-Kaidës, ku njerëzit mund të studiojnë në universitet ''lëndën e terrorit” pa asnjë pengesë," thotë Brian Levin i Qendrës për studimin e urrejtjes

Por ai shqetësohet edhe për Shtetet e Bashkuara. Këtu ka më pak ish-luftëtarë xhihadistë, por ekziston kërcënimi i mediave sociale që terroristët përdorin për marketimin dhe rekrutimet e tyre, thotë një analist tjetër, Abraham Cooper, i Qendrës Simon Wiesenthal:

"Grupe si Shteti Islamik interesohen shumë për të mësuar se cilat janë aplikacionet më të reja, mënyrat më të reja që përdorin të rinjtë për të komunikuar me njëri-tjetrin, si mund të bëhet që autoritetet të mos kuptojnë gjë në momentet më kritike?"

Në faqet e njohura të medias sociale, kërcënimet e ekstremistëve të dhunshëm përzihen me komentet plot urrejtje të disa fanatikëve, të cilët nxisin akte dhune nga njerëz të veçuar si organizatorët e shpërthimeve në maratonën e Bostonit tre vjet më parë.

Analistët thonë se ndërsa qeveritë punojnë për të përmirësuar koordinimin, kompanitë e teknologjisë mund të ndihmojë.

"Mendoj se në fund të fundit do të jenë krerët e kompanive si Apple, Samsung, Facebook, Google, YouTube dhe Twitter, që do të ndihmojnë për të dalë me strategji teknologjike që do të mbrojnë privatësinë e njerëzve të mirë dhe do të lehtësojnë përdorimin e shpejtë të të dhënave nga autoritetet. Ky mund të jetë dallimi mes jetës dhe vdekjes në betejën kundër terroristëve," thotë Abraham Cooper.

Firma Apple dhe qeveria amerikane janë aktualisht në një mosmarrëveshje rreth privatësisë. Përplasja ka të bëjë me iPhonin e një të dyshuari në vrasjet masive të San Bernardinos në muajin dhjetor. Ndërkohë, ngjarje të tilla si shpërthimet në Bruksel ka shumë mundësi që të mos e lënë këtë çështje të ftohet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG