Lidhje

Sanders përmirëson shanset


Senatori i shtetit Vermont Bernie Sanders fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet paraprake presidenciale brenda Partisë Demokrate në shtetet perëndimore Uashington, Alaska dhe Hawaii, në përpjekjet e tij për t’iu afruar rivales Hillary Clinton.

Sanders fitoi 82 përqind të votave në Alaskë dhe më shumë se 70 për qind në Uashington dhe Hawaii. Rregullat e Partisë demokrate i ndajnë delegatët në baza proporcionale, prandaj edhe me humbjet e mbrëmshme kandidatja Clinton përsëri merr një pjesë të tyre.

"Ne e dinim se gjërat janë duke u përmirësuar për fushatën tonë në shtetet perëndimore,” tha dje senatori Sanders. Zonja Clinton ka dominuar në shtetet jugore gjatë garave të para brenda demokratëve, ndërsa kandidati Sanders ka fituar pesë nga gjashtë shtete në garat e kohëve të fundit, të gjitha në pjesën perëndimore të vendit.

Edhe me fitoret e së shtunës, zoti Sanders përsëri renditet prapa ish-sekretares së shtetit, e cila ka rreth 300 delegatë më shumë. Ai përballet me një rrugë të vështirë në përpjekjet për të marrë emërimin.

Megjithatë, senatori refuzon të tërhiqet dhe mbetet një kundërshtar i fortë për zonjën Clinton në disa shtete që ende nuk i kanë zhvilluar zgjedhjet paraprake.

XS
SM
MD
LG