Lidhje

Vendimi ndaj Sheshelit më 31 mars


Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi do të japë vendimin e saj kundër udhëheqësit radikal serb Vojisllav Sheshel më 31 mars në mungesë të tij, pasi ai ka refuzuar të kthehet në Hagë. Vojisllav Sheshel vuan nga kanceri në mëlçi dhe për këtë arsye në vitin 2014 gjykata e lejoi atë të kthehej në Serbi. Shesheli akuzohet për nxitje të vrasjeve gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi do të japë vendimin e saj më 31 mars mbi rolin e politikanit ultra-nacionalist të Serbisë Vojisllav Sheshelj të akuzuar për nxitjen e luftërave të viteve 1990 në Ballkan.

“Shkoj në Hagë për të përfaqësuar më shumë se 10 mijë vullnetarë të Partisë Radikale Serbe, të gjithë heronj serbë dhe luftëtarë të lirisë”, do të shprehej Vojsllav Shesheli para se të shkonte në Hagë.

Ai ka qenë në paraburgim që nga dorëzimi i tij në vitin 2003 në gjykatën e OKB-sëpër krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Vojisllav Sheshel, i cili vuan nga kanceri i mëlçisë, u lirua për arsye shëndetësore në nëntor të vitit 2014.

Por katër muaj më vonë gjykatësit në Hagë kërkuan kthimin e tij në Hagë, duke thënë se ai kishte shkelur kushtet e lirimit. Shesheli u kishte deklaruar përkrahësve se ai nuk do të kthehej kurrë më në Hagë.

Muajin e kaluar, ish-udhëheqësi i partisë nacionaliste e sfidoi gjykatën duke i vënë zjarrin flamujve të BE-së dhe NATO-s para një gjykate në Beograd.

Por Gjykata e Hagës, nuk këmbënguli për ta detyruar atë të kthehej në Hagë, në bazë të arsyetimit se ai kishte nevojë për trajtim mjekësor, duke shmangur kështu mundësinë e një përplasjeje mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, nëse vendi nuk do të arrinte ta zbatonte urdhërin e gjykatës.

Javën e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare dënoi me 40 vjet burg, ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç nën akuzat për gjenocid lidhdur me masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë.

Në Beograd, rreth 5,000 përkrahës të Partisë Radikale Serbe protestuan kundër dënimit të Karaxhiçit.

Vojisllave Shesheli u tha protestuesve se vendimi mbi Karaxhiçin ishte "një vendimi kundër të gjithë kombit serb".

XS
SM
MD
LG