Lidhje

Donald Trump përballë kritikave


Donald Trump nxiti një stuhi të re kritikash me thirrjet e tij për të dënuar gratë që abortojnë, në se procedura është e ndaluar në Shtetet e Bashkuara. Disa orë më vonë ai e ndryshoi qëndrimin, duke publikuar një dekratatë ku thuhet se një ndalim i tillë do të kriminalizonte ato që kryejnë procedurën dhe jo gratë që abortojnë.

Kandidati kryesor presidencial republikan Donald Trump po përballet me kritika për thëniet e tij se gratë që abortojnë duhet të dënohen, në se procedura është e ndaluar në Shtetet e Bashkuara.

Disa orë pas komenteve të tij në kanalin MSNBC, Trump ndryshoi qëndrimin duke thënë se vetëm ato që kryejnë abortin do të përballen me akuza kriminale.

Ndërsa afrohen zgjedhjet paraprake në Wisconsin, rivali i zotit Trump, senatori i Teksasit Ted Cruz, tha se komentet fillestare të Trumpit treguan mungesën e njohurive të tij për këto politika. Cruz kritikoi gjithashtu homologët e tij demokratë.

Një nga gjërat më irrituese që bëjnë demokratët është se duan t’i fusin gratë në grackë, e të thonë, 'ka një numër çështjesh që janë çështje grash. Mund të vësh atë kapele dhe kjo është ajo që të lejohet të mendosh.' Kam një njoftim për partinë demokrate. Gratë nuk janë grupe të interesit."

Trump dhe guvernatori i Ohajos John Kasich renditen pas senatorit Cruz në Wisconsin, ku zhvillohen njëkohësisht edhe zgjedhjet paraprake të demokratëve.

Senatori demokrat Bernie Sanders po tingëllon si një kandidat që ndjen fitoren:

"Kemi fituar gjashtë nga shtatë zgjedhjet e fundit, zakonisht me rezultat të thellë dhe ky është vrulli ynë."

Por Hillary Clinton, kryesuesja e garës po shpreson t’i verë frenat ngritjes së Sanders-it dhe të shtojë numrin e delegatëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG