Lidhje

BE, 150 milionë euro për projektet në Ballkan

  • Armand Mero

Komisioneri Hahn: Kjo është paketa për 2016. Në Durrës ministrat e Jashtëm të Ballkanit diskutojnë për projektet e përbashkëta para takimit të nivelit të lartë në Paris

Në Shqipëri komisioneri europian për politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerim Johannes Hahn, deklaroi sot se Brukseli ka parashikuar një fond prej 150 milion eurosh në mbështetje të programeve të përbashkëta që vendet e rajonit të Ballkanit kanë propozuar në kuadër të Procesit së Berlinit. Këto komente komisioneri Hahn i bëri në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit i cili u mbajt sot në Durrës.

Ministrat e Jashtëm të rajonit u mblodhën për dy ditë në Durrës, në një takim të organizuar nga pala shqiptare, për të diskutuar rreth ecurisë së procesit të Berlinit, projekteve që u prezatuan vjet në takimin e Vjenës dhe atyre që pritet të propozohen në takimin e radhës që këtë vit do të mbahet në Paris, më 4 korrik. Procesi i Berlinit synon jo vetëm përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit perëndimor, por edhe të nxisë zhvillimin e tyre. Në takimin e vitit të kaluar të mbajtur në Vjenë, u propozuan disa projekte të përbashkëta me fokus Transportin dhe Energjinë. Sot komisioneri europian Johannes Hahn, njoftoi se “nga ana europiane kemi vendosur të vëmë në dispozicion një financim të ndjeshëm për këtë vit, rreth 150 milion euro, si formë e një pakete investimi që synojmë ta prezantojmë në Paris. Është një shifër domethënëse përsa i përket projekteve që na janë prezantuar. Bëhet fjalë për pjesën më të madhe të projekteve, dhe jo ku secili vend do të ketë nga një, por ato që kanë ecur mjaftueshëm në përgatitjet për t’u zbatuar”.

Në Vjenë u prezantuan 10 projekte nga të cilët 6 për fushën e Transportit dhe 4 në atë të Energjisë. Ndaj palës shqiptare që vitin e kaluar pati kritika se ajo përfitoi më pak se vendet e tjera, krahasuar sidomos me Serbinë. Shqipëria mori mbështetje financiare për linjën e interkoneksionit me Maqedoninë, apo dhe si pjesë e Korridorit të Kaltër që synon lidhjen rrugore përmes vijës bregdetare me Kroacinë. Ndërsa sot ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se është kërkuar financim për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe për ndërtimin e një degëzimi drejt Aeroportit Nënë Tereza”.

“Shqipëria është përfituese dhe kontribuese në Procesin e Berlinit. Dëshiroj t’i bëj jehonë asaj çfarë komisioneri tha në lidhje me nevojën për zbatimin e projekteve të dakortësuara në Vjenë dhe për të patur një fokus sa më të qartë te tematikat apo te çështjet që janë pjesë e Procesit të Berlinit dhe që krijojnë një ndërlidhje më të mirë mes vendeve tona, për ta transformuar Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë edhe në kuptimin ekonomik të fjalës”, shpjegoi ministri Bushati.

Pjesë e procesit të bashkëpunimit rajonal nuk janë vetëm projektet në Transport dhe Energji, por dhe nxitja e bashkëpunimit të mëtejshëm mes vendeve që deri para disa vitesh kishin luftra mes tyre. Rëndësi i është kushtuar veçanërisht bashkëpunimit mes të rinjve. Në Tiranë pritet të jetë selia e Zyrës rajonale të Bashkëpunimit rinor, një nismë e kryeministrit shqiptar dhe atij serb, nën modelin franko-gjerman. Po ashtu në Tiranë, do të jetë dhe selia e Fondit për Ballkanin, i cili ngrihet mbi atë të vendeve të grupit të Vishegradit, e që sipas komisionerit Hahn do të duhet të mbështetet si financiarisht ashtu dhe me kapacitete njerëzore.

Lidhur me krizën e refugjatëve, vendet e rajonit propozuan një agjendë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi dhe një partneritet të zgjeruar BE-Ballkan Perëndimor mbi migracionin, e cila të përmbajë një dialog politik të përforcuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe procesin e anëtarësimit në BE.

XS
SM
MD
LG