Lidhje

Maqedoni: BDI tërhiqet nga koalicioni qeveritar


Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni tërhiqet nga koalicioni qeveritar.
Përmes një deklarate të lëshuar të enjten vonë në mbrëmje, por pa dhënë arsyet e këtij vendimi të papritur, BDI njofton tërheqjen e gjithë përfaqësuesve të saj nga pushteti ekzekutiv.
Në njoftimin e shpërndarë për shtyp BDI po ashtu vë në dukje se i ka delegur kryetarit të saj Ali Ahmeti "gjithë kompetencat ekzekutive dhe vendimmarrëse për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm".
BDI-ja thekson se do të njoftojë opinion lidhur me rishqyrtimin e politikave të veta në ditët në vijim.
Koalicioni qeveritar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së daton nga fundi i vitit 2008. Dy partitë jo rrallë kanë shfaqur publikisht mospajtime lidhur me një sërë çështjesh, por prishja e koalicionit midis tyre nuk ka qenë asnjëherë në pikëpyetje.
Skandali i përgjimeve, megjithatë ka shkaktuar ndryshime të kuadrove qeveritare dhe mjaft debate në opinionin publik, pasi një numër zyrarësh qeveritarë ishin ndër aktorët kryesorë të përfolur në audio-regjistrimet e përgjuara dhe të publikuara nga opozita maqedonase një vit më parë.
Vetëm pak ditë më parë në internet u publikua një skandal erotik, një audio-regjistrim midis zëvendës-kryeministrit Musa Xhaferri dhe deputetes Ermira Mehmeti, të dy anëtarë të BDI-së duke folur në telefon për çështje intime mes tyre.
Një çështje tjetër, që del nga skandali i përgjimeve, është kërkesa e Prokurorisë Speciale për procedimin e çështjes “Magjar Telekom”, përtë cilën ka akuza, ndonëse jo-zyrtare, ndaj drejtuesve të BDI-së për përfshirje në korrupsion.
Nuk përjashtohet mundësia që pasojat e këtyre çështjeve të kenë ndikuar edhe në raportet midis dy partive qeveritare të Maqedonisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG