Lidhje

Problemet me zgjedhjet 2011 në Lezhë


Prokuroria e Lezhës kërkoi dënimin me burg për 16 ish komisionerë të zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Ata ishin pjesëtarë të menaxhimit të zgjedhjeve në dy qendra votimi, në Dajç dhe Kotërr të rrethit të Lezhës. Në seancën e sotme gjyqësore, prokurori i çështjes kërkoi dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin nga komisionerët. Të 16 komisionerët akuzohen për fallsifikim të dokumenteve dhe rezultatit zgjedhor si dhe shpërdorim të detyrës. Ndërkohë, Gjykata e Rrethit Gjyqesor të Lezhës shtyu dhënien e vendimit për datën 13 prill, kjo pas kërkesës së avokatit, që kërkoi kohë për përgatitjen e mbrojtjes së klientëve të tij.

Procesi gjyqësor ndaj ish komisionerëve të komunës Dajç në rrethin e Lezhës ka nisur që në vitin 2011. Më heret, prokuroria e kishte pushuar hetimin për dy qendrat e votimit, por pas një ankese të kandidatit humbës, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë vendosi rinisjen e procesit. Prokuroria, përmes sistemit TIMS, të instaluar në të gjithë pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, arriti të vertetojë se 156 zgjedhës, të dy qendrave të votimit në ish komunen Dajç, gjendeshin jashtë territorit të Shqipërisë në ditën e votimit, ndërkohë që 99 prej tyre rezultojnë të kenë votuar.

Në dosjen e organit të akuzës rezulton se në qendrën e votimit Dajc ishin falsifikuar nënshkrimet, numrat e kartave të identitetit dhe pasaportave të disa votuesve, ndërsa në qendrën e votimit Kotërr komiisionerët kishin falsifikuar firmat dhe numrat e kartave të identitetit të 56 votuesve.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Komuna Dajç në Lezhë u rendit në njësitë vendore më problematike përsa i përket zhvillimit të procesit të votimeve.

XS
SM
MD
LG