Lidhje

Kryeprokurori Llalla sqaron vizitën në Uashington


Interviste me kryeprokurorin Adriatik Llalla
please wait

No media source currently available

0:00 0:17:13 0:00

Interviste me kryeprokurorin Adriatik Llalla

Shqipëria është duke kryer në këto momente një prej reformave më të mëdha të viteve të fundit, atë në fushën e drejtësisë, që pritet të sjellë ndryshime rrënjësore se si funksionon drejtësia në këtë vend, një sistem që për shumë është quajtur i dështuar duke u dominuar nga mos-ndëshkueshmëria. Në pikëpyetje është vënë integriteti i zyrtarëve që administrojnë drejtësinë, kryesisht i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për të folur mbi këtë temë ne kemi sot të ftuar në studio Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë zotin Adriatik Llalla.

Interviste me kryeprokurorin Adriatik Llalla
please wait

No media source currently available

0:00 0:17:13 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla para se të ndalemi tek çështja e reformës në drejtësi, gjatë këtyre ditëve që ju keni qenë këtu në Uashington, ka patur në Shqipëri shumë spekullime lidhur me qëndrimin tuaj në Amerikë gjatë këtyre ditëve. U tha, duke iu referuar burimeve nga prokuroria, se do të takoheshit me zyrtarë të FBI-së dhe të DEA-s, një njoftim që u përgënjeshtrua shumë shpejt nga zyrtarë amerikanë. A mund të na sqaroni se cili është qëllimi i këtij qëndrimi këto ditë këtu në Uashington?

Adriatik Llalla: Këto ditë ndodhem në Uashington për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, për marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën penale. Është një temë e rëndësishme për të cilën Shqipëria, institucionet shqiptare vlerësojnë se është tepër e domosdoshme forcimi i marrëdhënieve me institucionet e tjera homologe ndërkombëtare për të cilën ne kemi punuar prej disa vitesh dhe me mjaft prej këtyre shteteve kemi arritur të kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale, shumë marrëveshje të ndryshme janë ratifikuar ose priten për t’u ndryshuar për të risjellë risitë e reja mbas ndryshimeve të legjislacionit shqiptar mbas viteve 1990, një ndër të cilat është edhe marrëveshja e ekstradimit që ka qënë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nënshkruar që në 1 mars të vitit 1933, marrëveshje për të cilën po punohet për t’u riparë për shkak të ndryshimeve që ka pësuar ligji shqiptar. Lidhur me njoftimin që përmendët, të bërë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se ky është një spekullim pasi nuk mendoj që nga zyra ime të ketë dalë informacion se unë këtu kam qënë i ftuar për të vizituar FBI-në apo DEA-n.

Zëri i Amerikës: Këtu unë i referohem gjithmonë shtypit shqiptar i cili kur nxorri njoftimin tha se burimi ishte zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, por ajo është – e kuptoj që mund të jetë spekullim.

Adriatik Llalla: Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është transparente, çdo njoftim që lidhet me veprimet e mia, me zyrën e Prokurorisë, nxirret në faqen tonë.

Zëri i Amerikës: Po, në faqen tuaj të internetit nuk ka asnjë njoftim për këtë pjesëmarrje. Kjo është e saktë. Konferenca në të cilën po merrni pjesë ju, në qoftëse jam i saktë, quhet takimi vjetor i Shoqatës Amerikane për Ligjin Ndërkombëtar.

Adriatik Llalla: Po.

Zëri i Amerikës: Është një takim vjetor i kësaj shoqate, konferencë prestigjoze, në të marrin pjesë me mijëra vetë. Konferenca është me pagesë. Dua t’u pyes për të qenë transparent deri në fund me publikun – pjesëmarrja juaj atje është si Adriatik Llalla si person juridik privat, duke qënë prokuror, jurist, apo është si Adriatik Llalla si kryeprokuror i Shqipërisë që shkon në këtë konferencë dhe e lidhur me këtë pyetje është kush i përballon kostot financiare të pjesëmarrjes suaj, shteti apo ju vetë?

Adriatik Llalla: Unë jam anëtar i kësaj shoqate dhe normalisht siç e përmendët dhe ju krahas ardhjes personalisht paguhet edhe një tarifë përkatëse që shkon rreth 500 dollarë për të qënë i pranishëm në këtë aktivitet.

Zëri i Amerikës: Një tjetër element që lidhej në Shqipëri me vizitën tuaj këtej ka qënë ajo e prokurorit të Durrësit. U tha në shtypin shqiptar që ai nuk arriti të merrte dot vizën për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe dua t’i referohem përsëri njoftimit që u dha nga zyrtarët amerikanë në Shqipëri se mohimi i vizave për zyrtarët e korruptuar përfshin edhe prokurorinë dhe është një proces që po vazhdon. Si është historia e këtij zyrtari të lartë shqiptar që nuk arriti të merrte vizën për të ardhur këtu?

Adriatik Llalla: Është një çështje për të cilën vlerësoj se duhet t’i përgjigjem. Rasti konkret, prokurori i Durrësit ishte parashikuar të ishte pjesë e delegacionit tim sot këtu në Uashington, viza për të cilin nuk u dha në kohën e duhur nga ambasada amerikane ose më pas u dha dhe u kancelua për shkaqe tashmë të bëra publike. Fillimisht ambasada njoftoi se nuk e ka dhënë vizën për shkak se dokumentacioni nuk ka qënë i plotë dhe njëherazi duke u shprehur se në rastin konkret nuk ishte besimi i plotë se prokurori do të kthehej sërisht në Shqipëri. Ky është njoftimi që ambasada i ka përcjellë personalisht prokurorit.

Zëri i Amerikës: E qartë. A përbën një lëvizje e tillë për një zyrtar kaq të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, prokurori i një rrethi si Durrësi që është një nga rrethet më të mëdha në Shqipëri, a përbën kjo shqetësim për ju, e futur në kontekstin e komenteve të mëparshme që ka bërë ambasada amerikane lidhur me pengesat, vështirësitë që mund t’u krijojë zyrtarëve shqiparë pët të cilët mund të ketë dyshime se janë të lidhur me korrupsionin? Pra, a përbën kjo një lloj indikacioni për ju që mund të thelloni ndonjë hetim apo mund ta shqyrtoni këtë rast më në thellësi sesa ta lini thjesht si një qytetar i zakonshëm që shkon në ambasadë nuk merr dot vizën dhe kthehet i pakënaqur në shtëpi?

Adriatik Llalla: Nëse do të kishim informacione më të plota për arsyet normalisht do ta shihnim siç kemi parë me dhjetëra raste të tjera që kemi pasur dhe verifikuar. Dua të theksoj faktin se prokuroria ka qënë institucioni i cili është angazhuar maksimalisht për të pastruar radhët e veta nga elementët problematikë shkelës të ligjit. Vetëm pak muaj më parë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, ne kishim filluar hetimet dhe arritëm në arrestimet e dy prokurorëve, pjesë e trupës sonë të prokurorisë shqiptare që tashmë janë në proces të gjykimeve në Shqipëri, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit dhe për vepra të tjera, në të cilët ata ishin implikuar. Me këtë dua të them që institucioni ynë është plotësisht i angazhuar me të gjitha format për të hetuar së pari radhët tona e më pas këdo tjetër që shkel ligjin.

Zëri i Amerikës: A ka pasur raste të tjera prokurorësh që u është mohuar viza nga ambasada?

Adriatik Llalla: Në dieninë time, jo.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla, reforma në drejtësi, siç e përmendëm, është ndër reformat më të thella që po zhvillohet sot në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj për këtë reformë? A besoni se ajo do të miratohet së shpejti? Dhe, e dyta, a do të jetë në gjendje të funksionojë?

Adriatik Llalla: Prokuroria shqiptare, që nga momenti kur është shpallur projekti për reformën e re të sistemit të drejtësisë, i iniciuar nga Presidenti i Republikës, që në tetorin e vitit 2014, ka qenë pjesë e tryezës së kësaj reforme, të kësaj tryeze të parë të rrumbullakët, ku edhe ne kemi mbështetur inicimin e një reforme të re të sistemit të drejtësisë, pasi vlerësuam se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për përmirësim. Natyrisht, ne kemi marrë pjesë edhe në vijim të diskutimeve të mëtejshme të grupeve të punës, kemi atashuar ekspertët tanë pranë grupit të ekspertëve që merren me procesin e reformës në drejtësi; tashmë, pasi është arritur një konkluzion përfundimtar, mendimet e grupit të ekspertëve shqiptarë u çuan për vlerësim nga Komisioni i Venecias, të cilët kanë sjellë edhe...

Zëri i Amerikës: Ju vetë jeni dakord me këtë variant përfundimtar që po diskutohet, që është ende i pamiratuar, por të paktën keni marrë një opinion nga ekspertët e Venecias. Për ju personalisht, pa dyshim, por edhe si Prokuror i Përgjithshëm a jeni dakord me këtë lloj forme që do të bëhet organi i Prokurorisë në të ardhmen? Keni vërejtje për të? E mbështesni plotësisht atë, apo jo?

Adriatik Llalla: Unë kam pasur sugjerimet e mia, kam pasur vërejtjet e mia lidhur me këtë draft të paraqitur. Mendimet e mia ua kam paraqitur institucioneve përkatëse, grupit të ekspertëve, i kam bërë publike. Vlerësoj se është tepër e rëndësishme që të gjitha palët të paraqesin mendimet e tyre. Është më pas e drejta e ligjvënësit për të vlerësuar se cili mendim është i drejtë ose jo.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi për pak çaste tek Prokuroria e Përgjithshme. Ditët e fundit, kohët e fundit ju keni bërë një sërë lëvizjesh të mëdha, por unë do të ndalem vetëm tek njëra prej tyre, e kam fjalën për emërimin e fundit të drejtuesit të forcës anti-korrupsion, në prokurorinë e krimeve të rënda, të Arenc Çelës. Ka pasur kritika, vërejtje, mendime të ndryshme, debate në shtypin shqiptar, se një i afërm i tij është dënuar me një organizatë kriminale, por - më e rëndësishme – që ai nuk ka qenë ndonjëherë i angazhuar në struktura të tilla të posaçme. Cili është mendimi juaj? Pa dyshim ju e mbështesni se e emëruat vetë aty. Por, përse duhet vënë në një strukturë të tillë që është Thembra e Akilit kur nuk funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, pra lufta kundër korrupsionit, një person që ndoshta nuk e ka atë përvojë të duhur për të drejtuar një grup të tillë special?

Adriatik Llalla: Prokurori përkatës vjen nga një përvojë disa vjeçare pune në rrethe të ndryshme ku ka qenë drejtues prej disa vitesh në Prokurorinë e Beratit, më pas në Prokurorinë e Lushnjes, është vlerësuar që të vinte prej meje dhe prej stafit tim që ai të drejtonte strukturën përkatëse anti-korrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mendoj se zgjedhja ka qenë e drejtë, ai është një prokuror me përvojë që vjen nga shkolla e magjistraturës, ka cilësitë e duhura si morale, etiko-morale, ashtu edhe profesionale për të drejtuar një strukturë të tillë. Lidhur me aludimet e tjera, që bëhen lidhur me të afërmit e tij, kjo mendoj se është një temë që nuk i takon të diskutohet, aq më tepër në një shtet, aty ku flasim sot, ku nuk mund të diskutosh për biografinë, të afërmit, e të tjera me radhë. Përgjegjësia është individuale.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni, siç e thamë, ka qenë një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri. A ndjeni ju, si prokuror, si drejtues i organit të Prokurorisë, përgjegjësi për këtë gjendje në të cilën është vendi sot?

Adriatik Llalla: Korrupsioni është një problem shqetësues në vendin tonë, tashmë ky është një fakt i njohur prej të gjithëve. Prokuroria, mendoj se ka përmbushur në mënyrë korrekte detyrën e saj, ka filluar hetimet në mjaft raste, ka vënë përpara përgjegjësisë zyrtarë të niveleve të ndryshme, duke filluar nga zyrtarë lokalë, kryetarë bashkish, gjyqtarë, prokurorë, deri tek një ish-ministër i cili u arrestua pak ditë më parë. Nuk them se kjo është mënyra më e mirë që është përdorur, se janë arritur rezultatet më të mira të mundshme, gjithsesi mendoj se ne e kemi bërë punën në mënyrë korrekte brenda kapaciteteve dhe mundësive tona institucionale. Është tepër e rëndësishme që të forcohet më tej bashkëpunimi me strukturat e tjera ligj-zbatuese në Shqipëri, të cilat kanë për detyrim verifikimin paraprak të këtyre të dhënave, grumbullimin e informacioneve dhe vënien e tyre në dispozicion të prokurorisë. Në Prokurorinë Shqiptare, në realitetin shqiptar tashmë ndodhemi përpara një fakti të veçantë. Nga mungesa e besimit të mjaft strukturave të tjera ligj-zbatuese, qytetarët shqiptarë kanë një tendencë që të gjitha kallëzimet e tyre t’i paraqesin menjëherë në institucionin e Prokurorisë, kallëzime të cilat nuk bashkëlidhen të gjitha materialet e duhura proceduriale që parashikohen në kodin e procedurës penale, por vjen çdo shqetësim i tyre drejtpërdrejtë në organin e prokurorisë duke e ngarkuar institucionin tonë me një punë, e cila është pothuajse e papërballueshme për trupin e prokurorëve, të oficerëve të policisë gjyqësore. Normalisht këto kallëzime duhet të paraqiten paraprakisht në institucionet e tjera ligj-zbatuese si në policinë e shtetit, apo tatimet, doganat, çdo institucion tjetër, i cili ka në kompetencë edhe policinë gjyqësore.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, për disa raste madhore, besoj Prokuroria është ajo që duhet të jetë më e angazhuar dhe po marr si shembull një moment të vogël, kur foli ambasadori amerikan Donald Lu në një takim të prokurorëve, në mos gaboj, apo të gjyqtarëve, ku përmendi simbolikisht orët e shtrenjta. Pyetja ime është kjo: përse t’i bjerë në sy një ambasadori të huaj mënyra e jetesës jo e bazuar të ardhurat e politikanëve, apo zyrtarëve shqiptarë dhe nuk i bie në sy më shpejt Prokurorisë dhe të jetë Prokuroria më agresive në ndjekjen e rasteve të kësaj natyre?

Adriatik Llalla: Në Shqipëri, tashmë është e njohur nga të gjithë, ka një institucion të posaçëm të njohur që merret me verifikimin e pasurive të zyrtarëve të kësaj kategorie, pra të zyrtarëve të lartë, të zgjedhurve vendorë e të tjerë. Për të tillla raste është një institucion i posaçëm shtetëror që verifikon vërtetësinë e deklarimit të pasurisë, burimin e kësaj pasurie, nëse është e ligjshme, apo e kundraligjshme. Nëse një zyrtar i caktuar disponon një pasuri të caktuar, kjo nuk nuk do të thotë se ai është kriminel, apo shkelës i ligjit. Pasuria mund të fitohet në forma të ndryshme: të trashëgimisë, biznesit e të tjera me radhë. Nuk jam këtu për të mbrojtur një zyrtar të caktuar, por edhe të akuzohet dikush se ka një orë të një përmase, apo unazë të kësaj natyre, mendoj se nuk është mënyra e duhur.

Zëri i Amerikës: Kjo është thënë në formë simbolike, për të treguar që të ardhurat nuk e justifikojn atë stil jetese…

Adriatik Llalla: Ka insitucione të posaçme, të cilat merren me verifikimin e pasurive të këtyre zyrtarëve. Të gjitha rastet kur ne mund të verifikojmë, kemi filluar hetime zyrtarisht, në ato raste kur është konkluduar se zyrtari nuk e ka të justifikuar pasurinë, është shkuar më tej drejt marrjes së masave përkatëse ligjore.

Zëri i Amerikës: Dy raste mjaft të bujshme në Shqipëri, që janë nën hetim e sipër: bankieri Santo dhe AlbPetroli: ku janë hetimet me rastin e bankierit? A ka ndonjë përparim, a dihet motivi, a dihet diçka?

Adriatik Llalla: Rasti i bankierit Santo është një çështje e cila vijon të jetë pa autor, hetimet vazhdojnë të jenë duke u kryer.

Zëri i Amerikës: A ka përparim?

Adriatik Llalla: Në këtë fazë që jemi, besoj se prononcimi më i saktë do të jetë ky, pasi hetimet janë duke vazhduar...

Zëri i Amerikës: Në rastin e Albpetrolit, ka disa vite që dështoi privatizimi, dhe firma që do ta privatizonte, do të depozitonte 85 milionë dollarë në një bankë amerikane. Madje mbaj mend që një zyrtar shqiptar në atë kohë ngriti fletën e dokumentit, duke thënë se “kjo është depozita që ka bërë firma X”. Këto ishin para që do të ktheheshin në fund në buxhetin e shtetit, nëse privatizimi do të dështonte, siç dështoi. Ju kam pyetur edhe më përpara për këtë çështje dhe përgjigja juaj ishte se hetimet janë duke vazhduar. Ç’po bëhet me këtë rast, me Albpetrolin?

Adriatik Llalla: Në këtë rast është një çështje, kur ndërthuret natyra penale me atë civile, një çështje që vijon të jetë temë e diskutimeve në Shqipëri, ku po merren të gjitha institucione ligjzbatuese dhe kontrolluese në rastin konkret, të këtyre marrëveshjeve; që zakonisht marrëveshjet nënshkruhen mes institucioneve përkatëse të qeverisë shqiptare…

Zëri i Amerikës: Pra ku po çalon, tek mosbashkëpunimi i institucioneve shqiptare, apo ..

Adriatik Llalla: Ekziston edhe kjo pengesë, në mbledhjen e informacioneve, të eskpertizës përkatëse…

Zëri i Amerikës: A dyshoni se ka qëllim që po pengohet procesi?

Adriatik Llalla: Atë do ta përcaktojë përfundimi i hetimeve.

Zëri i Amerikës: Një rast tjetër i prokurorisë, për të ciluin hetimet kanë përfunduar, e kam fjalën për ish-guvernatorin Fullani. Prokuroria kërkoi dy herë 5 vjet heqje lirie, në mos gaboj dhe për të dy herët, në dy shkallët e ndryshme të gjykatave, ajo u hodh poshtë. Përse nuk e çuat ju çështjen në Gjykatën e Lartë?

Adriatik Llalla: Në Gjykatën e Lartë shkohet në rastet kur konstatohen shkelje proceduriale të gjykatës së apelit, apo të gjykatës së shkallës së parë. Në rastin konkret është vlerësuar se nuk ka patur shkelje proceduriale. Gjykata e ka vlerësuar dhe ka vendosur në atë formë për rastin konkret, megjithëse mendimi ynë ka qenë gjithmonë se ky zyrtar ka qenë në shkelje të ligjit. Ne i kemi qëndruar deri në fund qëndrimit tonë, pavarësisht vendimit të gjykatës, tani ne nuk kemi mundësi për ta ndryshuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG