Lidhje

Planet për kolonizimin e Hënës


FULL MOON

FULL MOON

Drejtori i i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës shpreson se bashkëpunimi ndërkombëtar do të çojë një ditë në ndërtimin e një qendre të banuar në sipërfaqen e Hënës. Në vend të transportimit të materialeve të ndërtimit në Hënë, ekspertët parashikojnë përdorimin e teknologjisë së shtypjes 3 dimensionale për ndërtimin e strukturave nga burimet natyrore të Hënës.

Tingëllon si një histori filmash fantastiko-shkencor, por shefi i ri i Agjencisë Evropiane të Hapësirës dëshiron ta bëjë realitet këtë ide ambicioze. Duke krijuar një bazë të përhershme në hënë, ose “Fshati i Hënës” siç e quan shefi i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) Johann-Dietrich Woerner, njerëzit do të jetojnë dhe punojnë në hënë. Shumëllojshmëria e banorëve nga vende të ndryshme të botës, thotë ai parashikohet të jetë pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Fshati në hënë do të kombinojë aftësitë e kombeve të ndryshme si nga ana njerëzore apo robotike. Do të përfshijë disa aktivitete, qofshin ato shkencore, tregtare, turizëm apo minerare”, thotë zoti Woerner i cili mori drejtimin e Agjencisë Evropiane të Hapësirës korrikun e shkuar.

Kanë kaluar pothuajse 50 vjet nga viti 1969, kur njeriu shkeli për herë të parë në Hënë. Një bazë e përhershme shihet si veprimi i radhës më i logjikshëm, kryesisht pas bashkëpunimit të suksesshëm në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

“Ideja është që në këtë projekt të tërheqim idetë, interesat, aftësitë e njerëzve të ndryshëm nga mbarë bota. Mund të fillojmë me një mision të vogël uljeje në hënë, për të cilin po punojnë shumë vende. Mund të kemi investime të mëdha si një radio-teleskop të fuqishëm në pjesën e largme të hënës. Pra në të njejtin vend, në Hënë, mund të kemi aktivitete të shumta.”

Një ide tjetër është edhe përdorimi i burimeve natyrore për të ndërtuar dhe mbajtur një bazë hënore. Makineritë mund të përdorin akullin, metalet dhe mineralet për të printuar me teknologji 3 dimensionale strukturën e një ndërtese.

Një makinë robotike mund të ulet në sipërfaqen e hënës dhe të ndërtojë një kupolë duke e fryrë atë me ajër. Makineria do të ndërtojë më pas një objekt për mbrojtjen e kupolës dhe astronautëve që do të jetojnë brenda saj.

Shefi i Agjencisë Evropiane të Hapësirës beson se projekti nuk kërkon investime të mëdha në fillim, pasi misione të vogla për zbritjen në Hënë janë në përgatitje e sipër. Por duhen marrë parasysh edhe rreziqet si radiacioni diellor dhe kozmik, mikro-meteorët dhe temperaturat ekstreme.
Ndaj, zoti Woerner beson se zonat pranë poleve të Hënës apo seksioneve që kanë dritë konstante do të ishin më të përshtatshmet.

“Amerikanët duan të shkojnë në Mars dhe jam plotësisht dakord. Njerëzit do të shkojnë atje një ditë por kjo i përket të ardhmes të largët. Edhe amerikanët janë të interesuar për Hënën. Kështu që do të jenë amerikanët, rusët, kinezët, indianët, japonezët e madje edhe vendet me kontribute më të vogla. Shpresoj për një eksplorim global të Hënës.”

Edhe pse mund të duhen së paku 20 vjet para se teknologjia të jetë gati, zoti Woerner shpreson që planet e tij do të dërgojnë një mesazh bashkëpunimi tek vendet që shpresojnë të jenë pjestare. Madje, ai beson se mund të ngushtojë hendekun mes NASA-s amerikane dhe Kinës, të cilat nuk kanë bashkëpunuar për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

ESA në bashkëpunim me Agjencinë Federale të Hapsirës Roscosmos të Rusisë kohët e fundit nisën një mision të përbashkët për të eksploruar atmosferën e planetit Mars dhe për të kërkuar shenja jete në planetin e kuq. Sonda pa njeri ExoMars u lëshua me 14 mars nga një raketë ruse dhe pritet të mbërrijë në planetin Mars në muajin tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG