Lidhje

Rritja ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë


Sipas një raporti të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare u rrit me 2.6 për qind në vitin 2015, rritje e mbështetur nga investimet e fuqishme private.

Raporti “Ribalancimi për Rritje të Fuqishme”, vlerëson se ritmi i rritjes pritet të vazhdojë gradualisht në 3.2 për qind për vitin 2016, dhe 3.5 për qind në vitin 2017.

Investimet në Gazësjellësin Trans Adriatik dhe një hidrocentrali në Jug të Shqipërisë do të ndihmojnë në zgjerimin e kërkesave të brendshme. Ndërsa konsolidimi fiskal merr drejtim, shpenzimet qeveritare do të jenë të kufizuara.

Deficiti buxhetor është në rrugën e duhur, thuhet në raport, pavarësisht një mungese në realizimin e të ardhurave. Deficiti buxhetor vlerësohet të ketë arritur në 4.8 për qind të PBB-së në vitin 2015, nga 5.9 për qind që ishte në vitin 2014.

Mungesa ishte më e madhe në grumbullimin e TVSH dhe akcizës, duke pasqyruar dy probleme në administrimin e të ardhurave dhe parashikimit, të tilla si nën-vlerësimi i shkurtimit të taksave, rritja më e ulët nga sa pritej e PBB-së, normat e interesit, dhe çmimet e naftës.

Borxhi publik ka vazhduar të rritet dhe vlerësohet të ketë arritur në 72.2 për qind të PBB-së.

Megjithatë, borxhi publik pritet të fillojë të ulet në vitin 2016 si rezultat i masave të konsolidimit fiskal të miratuara në ligjin për buxhetin e vitit 2016.

Perspektiva afatmesme sipas raportit do të varet nga ritmi dhe thellësia e reformave strukturore shtesë në sektorin financiar të energjisë dhe i menaxhimit më të mirë të investimeve publike në infrastrukturë. Reforma në drejtësi është gjithashtu e rëndësishme, thuhet në raport, për të bërë më tërheqëse klimën e biznesit dhe rigjallërimin e kreditimit.

KOSOVA

Pavarësisht paqëndrueshmërisë politike, ekonomia e Kosovës eci mirë gjatë vitit 2015, vlerëson raporti i Bankës Botërore. E nxitur nga kërkesa e brendshme, rritja reale ekonomike në Kosovë arriti në rreth 3.6

për qind në vitin 2015 dhe është parashikuar të mbetet e pandryshuar në vitin 2016.

Konsumi dhe investimet kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike thotë raporti i Bankës Botërore, por kontributi neto i eksporteve ka qenë negativ për shkak të të ardhurave të dobëta tregtare në tremujorin e fundit të vitit që erdhën si pasojë e rënies në eksportin e metaleve bazë, malli kryesor eksportues i Kosovës. Investimet e huaja të drejtpërdrejta u rritën me 150 për qind në vitin 2015, me më shumë të tilla nga Bashkimi Evropian pasi Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilitetit.

Pavarësisht realizimit të të ardhurave në nivelin 9.4 për qind, rregullimi fiskal është i nevojshëm në mënyrë që Kosova të mund të respektojë me disa përjashtime, mbajtjen e deficitit buxhetor në 2 për qind të PBB-së.

FMN-ja miratoi një marrëveshje prej 184 milion eurosh në 29 korrik 2015. Shqyrtimi i parë marrëveshjes u mbyll pozitivisht në janar 2016. Sipas raportit të Bankës Botërore, performanca ekonomike e vendit do të jetë e ngjashme në vitin 2016 në varësi të stabilitetit politik dhe një fillimi të suksesshëm të investimeve të huaja për pikën turistike të skive në Brezovicë.

XS
SM
MD
LG