Lidhje

Shqipëria, bunkerët dhe turizmi


albania bunker

albania bunker

Gjatë viteve 1970 dhe '80, në Shqipëri u ndërtua një rrjet prej 700.000 bunkerësh të madhësive të ndryshme. Tani qeveria shqiptare po hap për publikun disa prej këtyre bunkereve dhe tuneleve të nëndheshëm, për t’i përdorur si objekte turistike.

Në qendër të Tiranës, nën Ministrinë e Brendshme, ndodhet një bunker që u ndërtua nga qeveria komuniste si strehim për zyrtarët për mbrojtjen nga armët bërthamore. Ky strehim përmban dhjetëra zyra me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1,000 metra. Ai u ndërtua në fillim të viteve 1980 dhe ka një tavan çimentoje me trashësi 2.5 metra.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme Mehdi Sula sqaron se nuk ka pasur kurrë ndonjë situatë që ta bënte të nevojshëm përdorimin e këtij bunkeri.

"Ka pasur raste si në vitin 1997, ose rasti i vitit 1999 të luftës në Kosovë, kur e kemi bërë gati. Por edhe atëherë nuk u përdor.”

Bunkeri i nëndheshëm ka mure dhe dyer të trasha betoni që besohet të ketë qenë në gjendje të përballonin një sulm bërthamor. Makineritë mbanin të freskët ajrin brenda strehimit, për të shmangur infektimin radioaktiv. Bunkeri ishte i pajisur me një gjenerator për energji elektrike, i cili mund të bënte furnizim për tetë orë.

Furnizimi me ujë sigurohej me anë të një pusi brenda strehimit, që ishte testuar për ujë të pijshëm, thotë zoti Sula. Një sistem i vjetër ajri të kondicionuar, prodhim i Gjermanisë Lindore, i instaluar në bunker, funksionon edhe sot.

Bunkeri lidhej me telefon me botën e jashtme. Ministri i brendshëm kishte një linjë telefonike të lidhur me udhëheqjen e lartë. Stafi i Ministrisë së Brendshme mund të kishte jetuar atje për shumë ditë me radhë i izoluar nga bota e jashtme.

Autoritetet planifikojnë të hapin një muze të ri në bunker brenda këtij viti.

Por kundërshtarët politikë janë të pakënaqur. Një tubim anti-qeveritar më 8 dhjetor të vitit të kaluar nga Partia Demokratike, përfundoi me një përpjekje për djegien dhe shkatërrimin e hyrjes së bunkerit.

Mes protestuesve ishte edhe Besim Ndregjoni, ish i përndjekur politik nga diktatura dhe tani kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se është i ndikuar nga ideologjia komuniste dhe se po përpiqet t’u imponojë njerëzve ide të ngjashme:

"Në kohën kur diktatori nuk kishte asnjë lloj përkrahjeje ndërkombëtare dhe asnjë marrëveshje me fuqitë e mëdha, ai vendosi të bunkerizojë Shqipërinë. Në një kohë që shqiptarët nuk kishin bukë, fëmijët nuk kishin qumësht, spitalet nuk kishin gjak, ai ndërtonte bunkerë se do mbrohej nga imperializmi amerikan. Kjo ishte marrëzia e një diktatori të egër, terrorist ndaj bashkë-kombasve të tij. Enver Hoxha ndërtonte bunkerë".

Zoti Ndregjoni është kundër hapjes së tuneleve nga udhëheqja aktuale për shkak të asaj që ato përfaqësojnë:

"Të gjithë ata që ishin kundër vijës ideologjike të komunizmit dhe diktatorit Enver Hoxha, u torturuan këtu në një kohë që njerëzit nuk kishin bukë për të ngrënë".

Qeveria ka në plan të përdorë bunkerë të tillë të epokës komuniste si objekte për të tërhequr turistët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG