Lidhje

Zgjidhja për të pastrehët në SHBA


Gregory Talley used to sleep in a park, at an airport, or under a bridge. The 50-year-old has been homeless for more than 10 years.

Gregory Talley used to sleep in a park, at an airport, or under a bridge. The 50-year-old has been homeless for more than 10 years.

Shumica e shtëpive për të pastrehët kanë arritur kapacitetin e tyre në SHBA, duke krijuar kështu sfida të reja. Në buxhetin e hartuar për vitin 2017, Presidenti Obama propozon një fond prej 11 miliardë dollarësh për 10 vitet e ardhshme për të zgjidhur çështjen e familjeve të pastreha. Ndërkohë, jo larg prej Shtëpisë së Bardhë, një grua po ndihmon qindra njerëz të strehohen.

Gregory Talley flinte nëpër parqe, në aeroport, ose nën ura. 50-vjeçari ka qenë i pastrehë prej dhjetë vitesh.

“Është e vështirë të jetosh pa strehë. E kalon çdo ditë duke u munduar të gjesh diçka për të ngrënë. Nëse nuk do e kisha zbuluar strehën e mrekullueshme të bashkisë Fairfax, nuk di se ku do të isha tani. Ndoshta do kisha vdekur.”

Streha “Kennedy Shelter” është një ndër objektet që ofron organizata “New Hope Housing” për familjet dhe individët e pastrehë në rrethinat e Uashingtonit.

Pam Michell ia ka dedikuar jetën e saj krijimit të një jetese më të mirë për këta njerëz, si drejtuese e organizatës jofitimprurëse.

“Shkova në Afrikë në vitin 1985. Pashë varfëri të tepruar, por edhe shumë shpresë. Dhe vrava mendjen se ç’isha duke bërë në jetën time si shtresë e mesme në Amerikë dhe vendosa që duhej të bëja diçka për t’u dhënë njerëzve shpresë. Të pastrehët ishin gjithkund rrotull meje, kështu që vendosa t’i ndihmoj.”

Kur zonja Michell filloi të punojë tek organizata “New Hope Housing” gati 25 vite më parë, tre strehat e atëhershme kishin 85 shtretër. Tani, organizata ka 350 shtretër dhe u shërben rreth 1500 të pastrehëve çdo vit. Zonja Michell gjithashtu e ka zgjeruar programin përtej ofrimit të një shtrati për të fjetur.

“I kontaktojmë njerëzit vetë. Parandalojmë fenomenin. Ofrojmë shtëpi të përhershme, ose strehim të përkohshëm. Kemi një program arsimimi për t’i larguar njerëzit nga rruga.”

Sipas të dhënave të vitit 2015, mbi gjysëm milioni njerëz në SHBA janë të pastrehë çdo natë.

Mungesa e strehimit të përballueshëm mund të jetë arsyeja kryesore që njerëzit mbeten të pastrehë, por zonja Michell thonë se organizata po u ofron edhe shërbime që t’i ndihmojnë drejt suksesit.

“Programi për daljen nga varfëria nuk është thjesht për paratë. Varfëria mund të jetë shpirtërore, sociale, apo arsimore. Ne përqëndrohemi tek shkaku i varfërisë që i ka bërë të pastrehë.”

Programi mundohet t’u mësojë banorëve të strehës si t’ia dalin mbanë, u mëson vlerat e punës dhe u ofron kurse për planifikimin dhe përgjegjësitë personale.

“Mësova se e kam ende mundësinë për ndryshim dhe ia dola mbanë. Duhet parë përpara, duke bërë çfarë është e nevojshme. Dmth, nëse vërtet e dëshiron, ja del mbanë. Kështu po funksionoj unë tashmë.”

Lewis Webster, i cili ka vuajtur edhe një dënim në burg, thotë se tashmë ka besimin se mund të shndërrohet në një anëtar të frytshëm të komunitetit, kur pas një muaji do të largohet nga streha për të marrë me qera një shtëpi të vetën.

XS
SM
MD
LG