Lidhje

Referendumi, rikonfirmohet mandati Ramës


Mbi 95 përqind në favor të kryetarit të Partisë. Deputeti Blushi: Procesi i manipuluar. Të hapen kutitë

Në Shqipëri, socialistët rikonfirmuan mandatin e kryetarit të tyre Edi Rama ndërsa 95 përqind e pjesmarrësve në referendumin e djeshëm votuan në favor

“84 % e anëtarësisë së partisë ushtruan të drejtën e votës, në proces transparent dhe të monitoruar nga media dhe kushdo i interesuar për të.Kjo dëshmoi se përveç se, forca më demokratike në vend, Partia Socialiste është Partia më e organizuar në vend. U respektuan në mënyrë korrekte kërkesat që parashikon Kodi i Zgjedhjeve në Parti për mbajtjen e referendumeve” , deklaroi Blendi Klosi sekretar organizativ i PS.

Por ndryshe nga drejtuesit e lartë të Partisë socialiste, Ben Blushi, deputeti kritik i cili kundërshtoi hapur kryetarin Rama për shkelje të statutit, për mos zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë në 2013, edhe sot deklaroi se sipas tij procesi ka qenë i manipuluar. Sipas zotit Blushi, ka patur ndërhyrje të hapura në listat e votuesve socialist, ndërkohë që këmbëngul se vetë referendumi ishte “në kundërshtim me statutin e PS, i cili kërkon që të mbahen zgjedhje për kryetarin e PS një herë në katër vjet.” Po ashtu në deklaratën shpërndarë për mediat ai thekson se “referendumi u krye në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të PS, sipas të cilit referendumet nuk mbahen dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit”, ndërkohë që nënvizon se në proces “nuk pati palë, pasi palës që teorikisht e kundërshtonte nuk i njohën fushatën, vëzhguesit, numëruesit dhe kontrollin mbi listat”. Ashtu sic Partia socialiste bëri pas zgjedhjeve të vitit 2009, edhe zoti Blushi kërkoi sot hapjen e kutive të votimit.

Në referendum anëtarët e partisë socialiste ju përgjigjën pyetjes nëse duhej konsideruar i rinovuar automatikisht mandati i kreut të Partisë kur ai është ndërkohë kryeministër.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG