Lidhje

Instat: në 2015 PBB në kuotën e 2.6 përqind


Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë u tkurr në tremujorin e katërt, duke shënuar një rritje prej 2,15 përqind. Ndërtimi, sektori me kontributin më të madh.

Ekonomia e Shqipërisë shënoi një ngadalësim të ritmeve të rritjes në tremujorin e fundit të vitit të shkuar, duke bërë që për vitin 2015 Prodhimi i Brendshëm Bruto të jetë, sipas shifrave paraprake të Institutit të Statistikave, në nivelin e 2,61 përqind. Në tremujorin e parë ekonomia u rrit me 2,24 përqind, duke u përshpejtuar në atë pasardhës, me 2,96 përqind e duke ruajtur thuajse të njejtat nivele ne tremujorin e tretë, 2,98 përqind, për të rënë në 2,15 përqind në fund të 2015.

Sektori i Ndërtimit, ka qenë ai që ka patur kontributin kryesor, në të paktën tre tremujorët e fundit. Sipas të dhënave të Instat, kontributi në tremujorin e katërt ishte me 1,5 pikë përqindje, i ndjekur nga “Tregti, Hotele, Restorante dhe Transporti” me 0,71 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 0,70 pikë përqindje. Nga ana tjetër, sektorë të rëndësishëm si “Industria, Energjia dhe Uji”, apo dhe “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” patën një kontribut negative, respektivisht me -0,38 pikë përqindje dhe me -0,37 pikë përqindje.

Krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2014, në tremujorin e katërt sërish Ndërtimi është ai që ka patur rritjen më të lartë + 12,75 përqind, pasuar nga ai i “Informacionit dhe Komunikimit”, +7,60, ndërkohë që “Industria, Energjia dhe Uji”, pësoi një rënie me 2,94 përqind, ndërsa aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” ra me 1,94 përqind.

Për vitin 2015 qeveria kishte parashikuar fillimisht një rritje ekonomike prej 3 përqind. Por në muajin korrik ajo rishikoi në zbritje të gjithë treguesit makroekonomik, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto u reduktua me 0,3 pikë përqindje, për të zbritur më tej, me 0,1 pikë përqind në parashikimet e këtij fillim viti. Për 2016, autoritetet presin një rritje prej 3,4 përqind. Por Banka Botërore, e ka rishikuar me ulje, në 3,2 përqind, pritshëmrinë për 2016, për shkak të situatës të pafavorshme të eksporteve.

XS
SM
MD
LG