Lidhje

Ish ministri Tafaj, shpallet i pafajshëm


Shqipëri, sot vendimi nga Gjykata e Lartë. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 1 vit burg për akuzën “Shpërdorim të detyrës” kur drejtonte ministrinë e Arsimit.

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për të dënuar me 1 vit burg zotin Myqerem Tafaj, ish ministër i Arsimit gjatë qeverisë së kaluar së ish kryeministrit Sali Berisha, duke e shpallur atë të pafajshëm.

Zoti Tafaj, i cili është akualisht deputet, u akuzua për “Shpërdorim të detyrës”. Sipas prokurorisë ai kishte lëshuar në muajin gusht të vitit 2011 një urdhër “Për hapjen e programeve të ciklit të parë që përfundojnë me bachelor dhe programeve të ciklit të dytë që përfundojnë me master i shkencave, të shkollës së lartë private “Vitrina”, i cili vlerësohet të jetë në kundërshtim me ligjin dhe në mos përmbushje të rregullt të detyrës. Bëhet fjalë për të paktën 8 degë të reja, të cilat kishin nisur ndërkohë që dy vjet përpara daljes së urdhërit, e pranë të cilave ishin rregjistruar mbi 1800 studentë. Përllogaritet se shumat e paguara nga studentët për një vit akademik arrijnë së paku 1 milion euro.

Prokuroria, në kërkesën e saj, kishte theksuar se Këshilli i Akreditimeve, një organ i cili vlerëson kriteret teknike e cilësore të Institucioneve të Arsimit të lartë, kishte dhënë opinion negativ për mundësitë e Universitetit “Vitirina” për t’u zgjeruar me degët e reja. Sipas prokurorisë ligji parashikon që “vlerësimi i shprehur prej këtij Këshilli në formën e vendimit për plotësimin ose jo të kushteve teknike të cilësise së institucionit Arsimor, i paraqitet Ministrit, i cili ka detyrimin ligjor për ta zbatuar”, gjë e cila në këtë rast nuk ka ndodhur. “Në kundërshtim me atë çka ka vendosur Këshilli i Akreditimit, Ministri nga ana e tij pa marrë parasysh këto vlerësime, ka vendosur hapjen e programeve mësimore. Ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtperdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyrë të kundraligjshme”, pretendonte Prokuroria, provat dhe faktet e së cilës nuk u konsideruan bindëse për Gjykatën e Lartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG